E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Si e priti familja largimin tim nga PS, Meta e ka nën kontroll Ramën

TIRANE - Ishte surprizë kalimi i tij nga një eksponent i rëndësishëm i së majtës, në radhët e Partisë Demokratike, ndërsa shumë shpejt do të shfaqej pranë kryeministrit ende në detyrë Sali Berisha përgjatë fushatës elektorale. Ishte një vendim që siç thotë dhe vetë ai, nuk ka qenë as i lehtë, as emocional dhe as i nxituar, por faktor kryesor, dhe pikënisje e madhe ka qenë përjashtimi nga Partia Socialiste. Kastriot Islami në këtë intervistë për “Gazetën Shqiptare”, rrëfen gjithë zhvillimet e vrullshme para dhe pas fushatës elektorale, duke dhënë arsyetimin e tij edhe për rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Koalicioni Rama-Meta është në fokus të argumentimit mbi fitoren e së majtës për zgjedhjet e 2013-s, ndërsa në mënyrën e tij, zoti Islami shpjegon funksionimin e një bashkëjetese e cila është ende në ‘muajin e mjaltit’. Shtatori e gjen zotin Islami përsëri në parlament, dhe përsëri në radhët e opozitës, siç thekson ai, këtë herë e fortë por konstruktive. Përpos faktit që këto ditë për të janë periudhë reflektimi për gjithçka ndodhi pas zgjedhjeve, disa ditë pushimi nuk do të mungojnë me familjen, për t’ia lënë vendin vjeshtës, e cila do të nisë ‘njësoj edhe ndryshe’ për të…
Zoti Islami, si janë këto ditë për ju? Si i keni të organizuara?
Janë ditë normale krahasuar me periudhën intensive të fushatës. Kjo periudhë paszgjedhore është një periudhë reflektimi e takimesh me personazhe racionale për të bashkëndarë argumentet.
Ju mungon apo ju ka lodhur ritmi i periudhës së fushatës zgjedhore? Si ndiheni tani?
Nuk jam aspak i lodhur nga fushata, sepse ndihem shumë mirë me ngarkesë maksimale e ritëm të lartë pune. Fushata më mungon dhe mundohem ta zëvendësoj me takime pune, lexime, duke shkruar dhe me aktivitet sportiv.
Çfarë shijeje ju lanë këto zgjedhje? Sa të zhgënjyer ndiheni dhe çfarë realisht prisnit nga ato?
Po analizoj me shumë kujdes të gjitha shifrat e faktet, po konsultohem me persona që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe po marr të gjithë kohën e nevojshme për të arritur në përfundime sa më të sakta. Jam duke lexuar analiza nga ekspertë të huaj, që janë përgjithësisht neutrale e objektive.
Konkretisht, çfarë mund të thoni për rezultatin e PS, LSI dhe PD?
Së pari, rezultati i PS në 2013, duke mos ndryshuar as në mandate e as në përqindje nga ai i 2009-s, legjitimon rezultatin e PS në 2009, duke nxjerrë në dritë të diellit falsitetin e veprimeve radikale për manipulimin e zgjedhjeve në 2009. Arsyeja e vërtetë e humbjes së PS në 2009-n rezulton qartas mosbashkimi me LSI-në. LSI në 2013 rezulton partia që është gati dyfishuar në vota dhe katërfishuar në mandate, prandaj e majta ka fituar. PD është zvogëluar në përqindje; prandaj është në opozitë. Në një vështrim të parë duket se zvogëlimi i PD në shkallë kombëtare vjen kryesisht nga “fryrja” e LSI, por në fakt skema mund të jetë më komplekse.
Si do ta përshkruanit pozicionin e Ramës përballë Metës?
PS nuk është fituese, as morale dhe as numerike e zgjedhjeve. Për rrjedhojë (sipas “Huffington Post”): “Rama, do të bëhet kryeministri i ardhshëm, por Meta do ta ketë atë nën kontroll”, pra në këtë fillim duket se Rama është peng i Metës, por mbetet të shihet në dinamikë kjo marrëdhënie.
Sipas jush, çfarë e bëri të djathtën të humbë dhe të majtën të fitojë?
Paraprakisht mund të them se ka shumë faktorë që kanë ndikuar në këtë rezultat, të cilin asnjë nga kompanitë prestigjioze të sondazheve nuk arriti ta parashikonte, as një javë para zgjedhjeve. Paraprakisht mund të them se kjo nuk është: I) fitore e Rilindjes (PS ka po aq mandate sa në 2009); II) as fitore në aspektin moral e së majtës, sepse LSI si pjesë e ish-mazhorancës rritet katër herë, kurse PS në opozitë prej 8 vitesh mbetet e pandryshuar; III) as fitore për shkak të programit, se dallimet programore midis PS e LSI janë ekstremale e të parealizueshme (shëndetësia falas nuk do të realizohet para 2017, taksa progresive nuk do të mund të implementohet, dhe asgjë nuk thuhet për 1 milion të papunët); IV) as fitore për shkak të ekipeve elektorale profesionale apo me integritet, sepse politikanët e karrierës dhe profesorët e aftë e të ndershëm të së majtës do të zëvendësohen në parlamentin e ardhshëm nga shumë individë që nuk kanë lidhje me politikën.
Si do ta komentonit këtë rotacion politik që u shënua?
Do t’u referohem analistëve më të afërt e më të apasionuar të PS. Pas bashkimit të PS me LSI, në 1 prill 2013, të gjithë analistët pro PS, pa përjashtim, thanë se “bashkimi i opozitës tetëvjeçare, pra i PS, me një pjesë të pushtetit, pra LSI, të cilën po vetë Rama e kishte akuzuar agresivisht për korrupsion me dërgimin e dosjes së Metës në prokurori dhe organizimin e protestës së dhunshme të 21 janarit”, nuk mund të garantonte rotacionin sepse sipas tyre ai ishte goditur moralisht dhe thjesht për arsye pragmatiste zgjedhjet mund të fitoheshin nga ky bashkim, që ata e konsideronin të “pamoralshëm” por “fitues”… Rama kishte deklaruar se preferonte një “fitore të pamoralshme” sesa një “humbje të ndershme”.
Si e shihni tashmë “bashkëjetesën” Rama-Meta në prag të formimit të qeverisë së re?
Nëse gjykohen racionalisht marrëdhëniet midis tyre në kohë dhe ambiciet respektive, përfundimi është evident. Le të presim të konsumojnë “muajin e ri të mjaltit”.
Vendimi për të kandiduar me PD, sa i vështirë ka qenë për ju?
Nuk ka qenë një vendim i lehtë dhe as emocional, as i nxituar, as rastësor, as pragmatist, as për interesa personale për një vend deputeti, as i negociuar; në fakt kanë koinciduar shumë elementë që ai të realizohej. Vendimi u bë i mundur kur për qëndrimet e mia pro shtetit, pro stabilitetit dhe pro integrimit, Rama më përjashtoi nga PS dhe Berisha më ofroi kandidimin. Opsioni “jashtë politikës” ishte opsioni më i keq, përderisa vendimi për lënien e shkencës dhe angazhimin në politikë para 20 vjetëve kanë qenë bazuar në formulimin e Platonit: “…angazhohu në politikë që të mos qeverisesh nga inferiorët…”.
A kishit një rrugë tjetër me më pak kosto politike se kjo?
Kjo ishte rruga që ma detyroi Rama. Rama dhe klientela e tij preferonin që unë të mbetesha “jashtë politikës” dhe luftuan me të gjitha mjetet që të më detyronin të zgjidhja këtë opsion. Me këtë kalim sfidues gjykova gjithashtu se mund të jepja një kontribut modest kundër betejës “midis armiqve” në favor të “konkurrimit të kundërshtarëve”. Një praktikë e tillë konsiderohet joanormale në vendin më demokratik të botës, SHBA, ku mbi 350 senatorë, kryetarë bashkie e presidentë janë shndërruar nga demokratë në republikane e anasjelltas.
Si e shpjegoni ju vendimin e Ramës për t’ju përjashtuar nga PS?
Përjashtimi im nga PS është konceptuar e dirigjuar nga Rama. Thjesht se kam qenë kundër bojkotit që u përmbyll me turp në limitin ekstrem të “djegies” së mandateve. Kundër grevës së urisë, që u përmbyll te restorant “Krokodili” në Strasburg. Kundër demonstratës së dhunshme të 21 janarit, që u harrua me darkën në Gjirin e Lalzit. Kam sugjeruar vazhdimisht bashkimin e PS me LSI, që u minua gjatë gjithë kohës. Jam përjashtuar sepse kam propozuar opsione konstruktive, pro shtet, pro stabilitet, pro integrim, pro bashkimit të së majtës, në rezonancë me faktorin ndërkombëtar.
Po përse kjo sjellje vetëm ndaj jush?
Së pari, ky veprim nuk ka qenë vetëm kundër meje. Së dyti, Rama kërkonte të bënte shembull një “personazh të veçantë”, që t’iu mbyllte gojën të gjithë të tjerëve. Sepse ka vetëm shumë-shumë pak në PS me formimin tim shkencor e akademik. Ka shumë-shumë pak në PS me kaq shumë eksperiencë në ekzekutiv, pra që të ketë qenë edhe Kryetar i Kuvendit, edhe ministër i Financave, edhe ministër i jashtëm, edhe ministër i Arsimit, edhe Zëvendëskryeministër, edhe ministër Shteti pranë Kryeministrit, edhe raportues i Këshillit të Europës në Gjeorgji e për luftën Rusi-Gjeorgji, edhe Koordinator special i Krizës së Kosovës, etj., etj. Ka shumë-shumë pak në PS, për të mos thënë vetëm disa, që me integritet e vendosmëri t’i kenë qëndruar përballë Ramës për veprimet e tij të gabuara. Po kujtoj se pas meje Rama largoi një tjetër politikan të rëndësishëm në PS, Arben Malajn. Po kështu “fshiu” nga lista e kandidimit shumë individë me kontribute e eksperiencë.
Si e priti familja juaj përjashtimin nga Partia Socialiste dhe kalimin pranë së djathtës?
Familja, në kuptimin e ngushtë por edhe më të gjerë, për mua është e shenjtë. Unë e konsideroj familjen një mjedis që më jep fuqinë, energjinë, racionalitetin dhe dashurinë për të qenë i suksesshëm në aktivitetin tim publik. Unë dhe familja ime nuk mund të ishim veçse unikë përballë kësaj ngjarjeje.
Po të afërmit e miqtë?
Miqtë e ngushtë, në shumicë mendojnë e gjykojnë si unë dhe një pjesë e madhe e tyre kanë qenë pjesëtarë apo mbështetës të vendimmarrjes, kurse me ata që jam më larg kam rezonuar plotësisht. Turpi që bëri Rama duke organizuar demonstrimin e kërcënimin e tipit të revolucionit kulturor kinez ndaj familjes sime më ka ndihmuar shumë të sqaroj vendimin tim dhe më ka lehtësuar shpjegimin e veprimeve të mia.
Jeni ndjerë i gjykuar?
Unë nuk kam takuar deri tani asnjë person racional që të gjykojë keq sjelljen apo vendimin tim, ndonëse ka shumë dashamirës që ndjejnë keqardhje që një person si unë është përjashtuar dhe nuk mund të kontribuoj më në PS. Përveç njerëzve të nxitur nga Rama dhe “gardistëve” të tij anonimë, prezentë në rrjetet sociale apo bllogjet e medias pranë Ramës, që shajnë, kërcënojnë dhe fyejnë, gjë që e bëjnë me të gjithë kundërshtarët e Ramës, të gjithë më respektojnë dhe mirëkuptojnë për vendimin tim. Sinqerisht, pa dashur të ofendoj askënd që për arsye të ndryshme qëndron pranë Ramës, ndjehem shumë mirë që nuk jam pjesë e projektit të tij. Jam i bindur se ky projekt është i dështuar, por edhe i rrezikshëm për vendin e pavlerë për socialistët; kam ndjesinë se kjo gjë do të vërtetohet shpejt.
Si do t’i cilësonit takimet me doktorin? Keni qenë pranë tij përgjatë fushatës zgjedhore?
Fushatën e kam zhvilluar në Njësinë 5 në Tiranë. Jam ndjerë i vlerësuar maksimalisht nga strukturat partiake dhe i mirëpritur nga të gjithë të pranishmit në takimet elektorale, aq sa nuk e kisha imagjinuar. Nuk kam gjetur asnjë bashkëbisedues skeptik apo cinik ndaj meje, përkundrazi, një vlerësim dhe mirëkuptim maksimal për të gjithë angazhimin dhe kontributin tim. Zotin Berisha, në krye të një fushate të ngjeshur dhe intensive, ka qenë e mundur ta takoja në mbledhjet sistematike të shtabeve elektorale dhe gjatë prezantimeve elektorale. Ndjej krenari që Njësia 5 në Tiranë ka pasur rezultate nga më të mirat në Bashkinë e Qarkun e Tiranës, por edhe në shkallë vendi.
Parlamentit, patjetër që nuk do i mungoni, por këtë herë do të vendoseni në poltronat e opozitës, pra si deputet i PD. Cili është komenti juaj?
Unë nga opozita vij, pra ndoshta jam nga të paktët në këtë kuptim që nuk ndryshoj pozicion. Unë besoj se opozita e re do të jetë e fortë, por konstruktive. Opozita besoj në asnjë rast nuk do të jetë bllokuese e reformave apo procesit të integrimit në BE.
Aktualisht, po pushoni?
Pushim aktiv, duke ndjekur zgjedhjet, lexuar, reflektuar dhe bërë çdo ditë pak sport.
Si i keni organizuar pushimet për këtë vit?
Do të bej pushime modeste, siç kam vepruar zakonisht.
Cilët do të cilësonit si miqtë tuaj më të mirë në politikë?
Janë të shumtë, por miqësia ime me ta nuk vjen nga politika dhe është përtej politikës. Kam shumë miq jashtë politikës, me të cilët diskutoj për politikë me më shumë profesionalizëm e efikasitet.
Momenti juaj më i bukur apo i arrirë i karrierës?
Kam shumë dhe jam sinqerisht i lumtur që kam pasur shumë momente interesante e të bukura në karrierën time, në shkencë e në politikë. Por shumë nga këto raste i kam kërkuar vetë, sepse mendoj që momentet më të bukura janë ato më të vështirat. Për më tepër mendoj se suksesi arrihet përmes një eksperiencë të fituar, duke vozitur nga një rast i vështirë në tjetrin, sepse edhe mosarritjet e momentit janë në një farë mënyre sukses relativ, në kuptimin që ke mësuar se çfarë s’duhet bërë.
Po më i vështiri?
Pasi kam mbaruar doktoratën në Francë në një nga laboratorët më të mirë të Francës në fushën e Spektroskopisë Molekulare dhe pasi kam qëndruar me bursën prestigjioze gjermane “Humbold” në një nga laboratorët më prestigjiozë në Gjermani e në rang botëror, kam arritur në përfundimin se nuk ka asgjë të vështirë e të pamundur që mund të mos realizohet. Kjo më ka bërë të mundur kapërcimin e atyre rasteve që shumë vetëve do t’i dukeshin shumë të vështira apo edhe të pamundura. Kryetar i Kuvendit të parë pluralist në 1991 apo menaxhimi i krizës së Kosovës në 1999 kanë qenë nga detyrat më të vështira, por mendoj se edhe të suksesshme.
Në kuadër edhe të pozicionit tuaj apo impenjimeve, udhëtoni shumë. Në cilin vend nuk keni shkelur dhe do të donit ta bënit patjetër?
Udhëtoj në mënyrë të arsyeshme. Kam qenë në shumë vende, por në më shumë nuk kam qenë. Më pëlqejnë vendet ekzotike dhe përpiqem të gjej mundësi për të shkuar për punë, turizëm.
Vendi ku keni kujtimet më të bukura?
Pa asnjë dyshim, Parisi…
Si do të jetë shtatori për ju; cilat janë projektet më të afërta?
Shtatori 2013 do të jetë pothuajse i njëjtë, por njëkohësisht edhe shumë i ndryshëm ndoshta nga të gjithë shtatorët e tjerë. Projekti im i afërt që po mendohem e reflektoj seriozisht lidhet me qasjen dhe veprimet e mia të ardhshme për të realizuar tranzicionin, nga një parlamentar pasiv i një opozite radikale e antiintegruese, në një parlamentar aktiv i një opozite konstruktive e integruese. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›