E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partizani sfidon rivalët, faza përgatitore në Greqi

Partizani po u jep fund përgatitjeve para prake në Shqipëri për t’u zhvendosur për tri javë në Greqi, ku do të zhvillohet faza përgatitore. Drejtuesit kanë vendosur që periudhën më të rëndësishme të përgatitjeve për sezonin e ri ta zhvillojnë në Grevana, një krahinë në veri të vendit fqinj, që ofron kushtet e përshtatshme klimaterike për stërvitje në këtë periudhë të nxehtë vere, si asnjë tjetër ekip në Shqipëri, madje edhe ata që janë pretendentë. Menjëherë pasi të kthehen nga Greqia, Partizani do udhëtojë drejt Italisë, ku është parashikuar të zhvillohet një turne miqësor, me disa ekipe, njëri prej të cilëve do të jetë edhe San Marino, që përfaqësohet në Kategorinë e Tretë. Burime pranë klubit bëjnë me dije se është duke u punuar për të siguruar edhe një ndeshje luksi me një skuadër të njohur.
ORGANIKA
Për sa i përket organikës, problemi më i madh mbetet reparti i avancuar, ku mungojnë afrimet cilësore. Malo dhe Lala janë elementët e vetëm me karakteristika sulmuese në dispozicion të trajnerit Hasan Lika. Presidenca e Partizanit shpreson ende te goditjet e orës së fundit, teksa sytë janë hedhur nga Kukësi, skuadra që po befason edhe në Europa League. 3 ish-futbollistë të Partizanit, Allmuça, Hallaçi dhe Progni, besohet se mund ta veshin sërish fanellën e kuqe, por gjithçka do të varet nga zhvillimet te skuadra verilindore në përfundim të aventurës europiane. Ndërkohë, stafi teknik po punon paralelisht edhe në merkaton e huaj, edhe pse duhet pranuar se kanë munguar prurjet cilësore nga ky treg.
KOSOVARET
Partizani nuk është nisur drejt Greqisë për të zhvilluar fazën përgatitore ashtu siç ishte parashikuar, për shkak se tre futbollistët kosovarë, që janë bërë pjesë e ekipit gjatë merkatos së verës, ende nuk kanë marrë vizat greke. Labinot Ibrahimi, Besnik Krasniqi dhe Behar Maliqi, prej një jave ndodhen në Prishtinë. Ata kanë marrë të gjithë dokumentacionin e duhur nga klubi i kuq dhe kanë aplikuar për vizë, në Ambasadën Greke në vendin e tyre, por ende nuk janë pajisur me vizë. Për këtë arsye, drejtuesit e kuq kanë vendosur që ta shtyjnë nisjen drejt Grevenasë, duke qenë se trajneri Lika ka dëshiruar ta ketë grupin të plotë.
AKADEMIA
Ka qenë pa dyshim një nga akademitë më produktive në vend, që ka nxjerrë lojtarët më cilësorë të kampionatit shqiptar, e jo vetëm, pasi edhe ekipi kombëtar është furnizuar shpeshherë nga “demat”. Tani që të kuqtë janë ngjitur në Superiore, kërkohet edhe një akademi si e dikurshmja, e cila sipas drejtuesve të saj shumë shpejt do të nisë të prodhojë talentet e reja, që do të arrijnë objektivat sezonalë. Edhe në këtë drejtim Partizani po i sfidon të gjithë, teksa Tirana nuk e ka zbatuar projektin mirë, edhe pse ishte e para që donte të ngrinte një akademi model. 
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›