Demokratët zgjedhin sot kreun e ri të partisë. Berisha voton në selinë e PD: Sot, ditë historike
Demokratët zgjedhin sot kreun e ri të partisë. Berisha voton në selinë e PD: Sot, ditë historike
Deklarata e kryeministrit: Pa transparencën e votës së 23 qershorit, s’do njohim asnjë rezultat
Kandidati për kreun e PD, Lulzim Basha: Transparencë e plotë të zgjedhjeve, të mos fshihen zullumqarët e krimit
UPDATE- Anëtarët e Partisë Demokratike do të votojnë sot për të zgjedhur liderin e ri, për herë të parë përmes parimit “një anëtar një votë”. Vetë kryetari i dorëhequr i PD-së Sali Berisha ka votuar në selinë Blu rreth orës 11:17 minuta. Në një prononcim për mediat, ai i ka bërë apel kreut të PS-së, e kryeministrit të zgjedhur të mos bllokojë procesin e numërimit të votave në interes të transparencës, përndryshe e ka garantuar se PD-ja nuk do të njohë asnjë pushtet të dalë nga vota e vjedhur. “Jam këtu sot për t’i thënë zotit Edi Rama në mënyrën më të prerë dhe më të hapur, mos bëj gabimin fatal për të bllokuar numërimin e votave. Berisha ka njohur rezultatin, do njohë çdo rezultat që del nga numërimi i ndershëm i votave. Ta dijë mirë se nuk do të gëzojë kurrë një pushtet të dalë nga falsifikimi dhe mashtrimi, nuk mund të jetë kryeministri që me thes votash të vjedhura të përfaqësoje vendin. Të numërohet cdo votë dhe unë absolutisht do respektoj njëlloj dhe atë që është pro e atë që është kundër dhe e faktova këtë më qëndrimin tim. Bëra atë që kërkonte vendi im, por vendi im kërkon, qytetarët kërkojnë që çdo fletë të rinumërohet dhe asgjë të mos qëndrojë mbi krimin drogën e kartelën e saj. Ajo qe ne pame në 14 qendra të Lezhës ishte fytyra më e shëmtuar në zgjedhjet e 23 viteve të fundit. Ka qenë Dushku, por ishte teknikalitet amoral, por kjo është vjedhje me duart të pista, pare të pista e qytë revolveri. Në interesin më të mirë të kryeministrit të ardhshëm e të çdo qytetari i kërkoje të bëjë transparencë, përndryshe PD nuk do të njohë kurrë pushtet të dalë nga vota e vjedhur”- tha Berisha.
Zgjedhja e kreut të PD-së, Berisha: Ditë historike për demokratët
Gjithashtu, Berisha e ka cilësuar votimin për kreun e ri si një ditë historike për demokratët. “Kjo është një ditë historike për Partinë Demokratike pasi për herë të parë në historinë e saj zgjedh bazuar në parimin më demokratik “një anëtar një votë” kryetarin e saj të ri. Është një rast i shkëlqyer për tu përcjellë përshëndetjet e përzemërta të gjithë anëtarëve të PD-së për mënyrën e civilizuar me të cilën ndoqën dhe respektuan garën e hapur për kryetar partie. Dua ti siguroj se do të jem njëri prej tyre për të bërë gjithçka për një fillim të ri të fuqishëm të shndërroj garën e saj të parë për një fitore të thellë”- theksoi Berisha.
Lulzim Basha: Transparencë e plotë të zgjedhjeve, të mos fshihen zullumqarët e krimit
Në orën 11:58 ka votuar edhe kandidati për kreun e PD-së Lulzim Basha. Në një prononcim për mediat, Basha ka theksuar se procesi i votimit ka shkuar mirë dhe pjesëmarrja është e lartë. Ai e cilësoi procesin e zgjedhjeve në PD si dëshmi i vlerave të demokracisë dhe procesin e parë të vërtetë në zgjedhjet brenda një partie. “Dua të shpreh një falënderim të thellë për anëtarët dhe militantët e PD, për pjesëmarrjen gjatë gjithë këtyre ditëve dhe javëve të kaluara, në këtë proces të pashoq në historinë e pluralizmit, procesi i parë i vërtetë, jo fals i zgjedhjes së kryetarit të një partie politike dhe në këtë rast i partisë më të madhe në vend, me parimin një anëtar-një votë. Dua t’i falënderoj për shpirtin demokrat, vlerat pozitive të këtij shpirti që lartësohet nga idealet dhe aspiratat e themeluesve tanë, që mori vlera gjatë qëndresës sonë, që merr vlera edhe sot dhe i përçon këto vlera, anembanë shoqërisë shqiptare. Këto vlera i përçon edhe në politikën shqiptare, duke u treguar kundërshtarëve tanë politikë, duke demonstruar para çdo qytetari shqiptar atë që ne dimë të mbrojmë më mirë se kushdo tjetër, vlerat e demokracisë, vlerat e gjithëpjesëmarrjes, gjithëpërfshirjes, vlerat e votës dhe të shprehjes me votë nëpërmjet këtij procesi për një çështje kaq të rëndësishme”- tha Basha. Gjithashtu Basha hodhi akuza ndaj kryetarit të PS-së, Edi Rama se ka manipuluar votat ndërsa kërkoi nga qytetarët që t`i mëshojnë fort çështjes së rinumërimit të votave pasi sipas tij kjo është çështje e identitetit të shqiptarëve. “Ky është rasti i identitetit tonë, i vlerave tona politike, me diskreditimin që i bëhet vendit nëpërmjet vjedhjes dhe deformimit e tjetërsimit të vullnetit si provojnë kutitë e Lezhës e jo vetëm dhe tentativës institucionale të Ramës për të penguar transparencën e plotë, pa kontestuar rezultatet e konfirmuara, por pa i mohuar shqiptarëve të shikojnë se si dhe çfarë ka ndodhur në rrethanat kur faktorët e krimit të organizuar kanë deformuar vullnetin. Kjo është e palejueshme, e papranueshme në mes të Evropës. Unë i bëj thirrje PD të qëndrojnë fort në këtë çështje, është e identitetit tonë, si qytetarë të lirë dhe evropian, për të mos fshehur zullumqarët e krimit, aktet banditeske dhe kriminale në PS dhe në themel të ngurrimit të pafalshëm që të dënojë këto akte të shëmtuara të barbarizmit përballë vullnetit të shqiptarëve”- theksoi Basha.
Votimi
Në të gjithë vendin janë ngritur rreth 57 qendra votimi, të cilat janë hapur në orën 08:00 të mëngjesit, dhe do të mbyllen në orën 19.00. Ndërkaq, numërimi i votave është parashikuar të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë. Këshilli Kombëtar dhe deputetët me banim në Tiranë, do të votojnë në qendrën e votimit, në selinë e Partisë Demokratike.
...