E Diel, 1 Nëntor 2026

Boçi: Asnjëherë nuk jemi dakordësuar me mungesën e theksuar të moralit tek mazhoranca e re

22-07-2013 / Intervistoi: L. Lita

Intervista/Flet deputeti i PD, Luçiano Boçi



Në një intervistë të posaçme për gazetën “55”, deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi flet për pranimin e rezultatit, për të ardhmen e PD me kryetarin e ri, për opozitën që di të nisë e saj politike në shtator. “Ne e kemi pranuar rezultatin numerik dhe pse jo pozitiv, pasi jemi të vetëdijshëm se zhvillimet politike të një force lëvizin midis humbjeve dhe fitoreve, por që në fillim nuk jemi dakordësuar me mungesën e theksuar të moralit në disa plane që mbart ky rezultat i cili na solli sot një maxhorancë të kallajisur fund e krye me korrupsion. Sidomos ne nuk mund të përtypim dhe të heshtim për faktin e përdorimit haptazi të rrugëve të pista të rrëmbimit të votës nga partitë e kampit të majtë”, u shpreh Boçi.





Z. Boçi, tashmë ka kaluar pak kohë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit dhe mund të ta keni përtypur edhe rezultatin jo pozitiv të PD. Sipas jush, çfarë ndikoi në pasjen e këtij rezultati të përgjithshëm e në veçanti në qarkun e Elbasanit, ku nuk mund të thuhet që nuk është investuar nga qeveria Berisha?



“Ne e kemi pranuar rezultatin numerik dhe pse jo pozitiv, pasi jemi të vetëdijshëm se zhvillimet politike të një force lëvizin midis humbjeve dhe fitoreve, por që në fillim nuk jemi dakortësuar me mungesën e theksuar të moralit në disa plane që mbart ky rezultat i cili na solli sot një maxhorancë të kallajisur fund e krye me korrupsion. Sidomos ne nuk mund të përtypim dhe të heshtim për faktin e përdorimit haptazi të rrugëve të pista të rrëmbimit të votës nga partitë e kampit të majtë. Në këtë pikë rasti i Lezhës duket se është maja e ajsbergut e kësaj katrahure tërësore. Pa u dukur se po përpiqem të them gjëra të çuditshme, nisur nga këto elementë vendimtarë, pohoj se nqs viti 97 ishte një bolshevizëm i armatosur i kuq, 2013 ishte një bolshevizëm i jeshiltë, një vazhdim i 21 janarit me forma të tjera, përgjatë të cilit u derdhën aq para sa dhe “priftin e shtynë në mëkat”.



Megjithatë ky fakt nuk është argument i justifikimit për humbjen, pasi përgjegjësitë listohen dhe në këtë drejtim, pra të neutralizimit të lejimit të përdorimit të formave të tilla si dhe në drejtime të tjera. Për arsyet e kësaj humbje është folur dhe do vazhdohet të flitet gjatë, por unë mendoj se qasja jonë ndaj votuesit duhet të kishte adaptuar forma më të ngushta dhe më praktike. Është e vërtetë që investimet infrastrukturore të gjithanshme, sidomos në qarkun tonë, midis të cilave me autostradën Tiranë-Elbasan, arritën kuota maksimale, por ato nuk u përthithën nga votuesi si një e mirë individuale që sillte automatikisht përmirësimin i cilësisë së jetës dhe rritjen e të ardhurave të familjeve të tyre. Ato në shumicën e rasteve thjesht u interpretuan si detyrime të radhës së një qeverisje e cila strategjikisht kishte gjetur rrugën e duhur për zhvillimin tërësor të vendit. Këtu ndoshta pjesa jonë e propagandës në emër të modestisë cedoi dhe nuk arriti tek argumenti i thjeshtë dhe bindës për qytetarin. Skepticizmi i tij historik duket se tejkaloi besimin që ne ja kishim shfaqur pothuaj në të gjitha format dhe kjo bëri që një pjesë e mirë e tij të orientohej drejt “një shakaje votuese pa kripë” apo më saktë pa bindje, të hedhjes së votës pro të majtëve që shpërndanë pa kufizim të mira me vlerë vetëm 24 orë. Kështu shpirti i votës së qytetarit u vodh dhe vetë vota u deformua.



Zoti Boçi, ju keni thënë se pas këtij rezultati zhgënjyes elektoral lipset një Parti Demokratike që i përgjigjet kohës dhe duhet të jetë e hapur për të gjithë. A mund ta shtjelloni pak më shumë këtë ide?



“PD njihet si forcë politike që gjithmonë ka mbartur ideale dhe vlera të patjetërsueshme si dhe ka investuar arritjet më thelbësore të këtij vendi. Forca e saj është gjigante sepse brenda saj ka energji të pashtershme të cilat në kushtet e reja politike, të pasjes përballë të një kundërshtari realisht aspak luajal dhe të egër, duhet të kanalizohen me efektivitetin dhe mënyrën e duhur. Kjo makineri e madhe politike si e tillë duhet të bëhet më fleksibile dhe praktike dhe njëkohësisht të adoptojë ato forma të luftës politike që e gjunjëzojnë më shpejt dhe më lehtë kundërshtarin politik. Për këtë ajo duhet të rrisë frymën luftarake të rezistencës duke i bërë thirrje shpirtit të militantëve të vjetër për angazhim total dhe në vende të caktuara dhe për rikthim si dhe të vazhdojë të furnizohet me elementë të rinj mendjehapur të cilët do ti japin asaj pamjen dhe vitalitetin e një force bashkëkohore. Vetëm ky kombinacion tërësor midis traditës historike së saj të paepshmërisë dhe të aftësisë për tu përshtatur të kohëve të sotme, midis shpirtit të saj demokratik dhe vlerave politike moderne, midis militantëve të vjetër dhe kontribuuesve të rinj, do bëjë të mundur krijim e asaj prerogative që e risjell atë atje ku e meriton, në drejtimin e vendit”.



Aktualisht, Partia Demokratike mbylli fushatën e zgjedhjeve të brendshme për kreun e saj, pas dorëheqjes së kryetarit të saj, Sali Berisha. Si shkoi kjo fushatë me kandidatët, me platformat,  me idetë që u shpalosën për të bindur bazën e PD dhe anëtarët e saj? Ju konkretisht do kishit te dashur të dëgjonin diçka që nuk e keni dëgjuar në këtë fushatë?



“Kjo ishte me të  vërtet një fushatë impresionuese, jo thjesht për faktin se ajo krijoi një atmosferë tepër domethënëse brenda PD por mbi të gjitha sepse solli në ambjentin politik shqiptar një shembull të qartë të ndershmërisë, konkurrencës, të shpalosjes së vlerave të programeve dhe të individëve garues, brenda një force politike.  Të bindur se përpara tyre kanë një Berishë të pazëvendësueshëm nga të gjitha aspektet po tentojnë me nxitimin e duhur të fitojnë kohë për të fituar zemrat e bazës së partisë. Dhe kjo garë nuk është as si gara e Ramës as si e Metës. Të gjithë e kanë në mendje ende akrobacinë e Ramës të ndryshimit brenda ditës të nenit të statusit që i jepte atij të drejtën e kandidimit dhe piruetën amatoreske që realizoi kur vuri përballë vetes një njeri deri atëherë të rritur në hije, brenda një gare fallco pa ide, plot tallje e batuta “sa për të qeshur pak”. Mos harrojmë këtu dhe votimin 90% të LSI në favor të Metës i cili doli si kandidat para strukturës së tij jo me program por me pamjen e viktimës-triumfues, të cilit “padrejtësisht” ja kishte “futur” shoku i tij më i ngushtë dhe “fundërrinat e politikës” që sot i ka në krah, por të cilët i mundi “pa ndihmën e askujt” 5 me 0. Sa për rivalin “pa asnjë lloj pazari” i kishte paraofruar post të mirë në parti. Jashtë këtyre standardeve të majta butaforike, kjo garë vendos tashmë një normë të kërkuar prej kohësh në politikë si baza nga ku nisen shumë ide pozitive e zhvilluese. Ajo që nuk e kam dëgjuar ende?! Ajo që do të dëgjoj pas zgjedhjes së njërit apo tjetrit në krye të PD.





Ju në shtator do të jeni ne anën e opozitës në parlament dhe në opinionin publik e politik. Si do jetë beteja e re që pret politikën shqiptare në stinën vjeshtës?



“Do shihni një opozitë reale, opozitë luajale, opozitë që mbron interesat e vendit dhe të shtetarëve të tij, opozitë e cila imponon mendime, kërkon të drejtën, ndal revanshin, frenon abuzimin, pengon keqqeverisjen. Jo opozitë bulevardi, dhune, bojkoti, bllokimi si ajo e Ramës. Çdo betejë e jona do jetë jo thjesht e radhës por betejë kauze”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›