E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demokratizim, pastaj anëtarësim në BE

Peer Steinbrück/Kandidati ocialdemokrat për kancelar të Gjermanisë

-Ajo që ne kërkojmë në vit nga Greqia apo Portugalia është një kursim prej 5 % të kapacitetit të tyre ekonomik. Në shikim të parë kjo ndoshta nuk duket shumë, por nëse e shpjegojmë se në Gjermani për shembull kjo do të thoshte kursime në vlerë prej 130 miliardë euro në vit, atëherë mund të kuptohet se çfarë masash duhet të ndërmarrin këto vende. Nëse një politikan në Gjermani do të thoshte se ne duhet të kursejmë 130 miliardë euro në vit, atëherë me siguri që pakënaqësia do të ishte shumë e madhe. Mendoj se duhet të kombinohet një strategji e kursimeve dhe stimulimit ekonomik. Secili shtet i cili do të anëtarësohet në BE duhet të plotësojë disa kritere të caktuara. Kjo nuk mund të evitohet. Por para se të mbaj ndonjë fjalim të flaktë për zgjerimin e BE-së, së pari duhet të kujdesemi për demokratizimin e institucioneve dhe për përmirësimin e procedurave. Kam përshtypjen se qeveria gjermane duhet të fillojë në legjislaturën e re një debat për të bërë institucionet evropiane më efikase dhe më demokratike. Nuk mendoj se duhet të hapim debatin nëse BE-ja duhet të ketë 29, 30, 31, 32 vende anëtare... Për Kroacinë është vendosur: ajo do të bëhet anëtarja e 28 e BE-së më 1 qershor. Unë jam i një mendimi me Helmut Schmidt-in i cili në shumë biseda ka thënë se: Këtë BEnë, ne e kemi zgjeruar shumë shpejt nga nëntë në 12, pastaj 15, 25, 27 dhe tani 28 vende anëtare. Më lejoni të shpjegoj: Çdo shoqatë që përjeton rritje të këtillë duhet të ndryshojë edhe statutin e vet. Duhet të ketë një bazë tjetër për ta ruajtur funksionalitetin e vet. Pjesërisht kemi pasur sukses me Marrëveshjen e Lisbonës, por unë nuk jam i mendimit me ata që thonë: "zgjerim, zgjerim dhe vetëm zgjerim!". Parlamenti Evropian duhet të ketë më shumë të drejta. Ai duhet të mund të zgjedhë dhe shkarkojë presidentin e Komisionit Evropian. Duhet të ketë një ndarje të qartë të përgjegjësive dhe obligimeve brenda Komisionit Evropian. A është ai pushtet ekzekutiv apo legjislativ? Pse tani kemi për shembull tre presidentë: presidentin e Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit të Evropës. Pse të mos kemi vetëm një president i cili do të zgjidhej në PE? Si qëndron puna me Këshillin e Evropës, a duhet të jetë ai dhoma e dytë e Parlamentit?


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›