Demokristianët, në koalicion me PD-në. Nesër marrëveshja
Partia Demokristiane i rikthehet bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar në deklaratat e vazhdueshme, kreu i kësaj partie, Nard Ndoka, ka bërë zyrtare shkëputjen e tij nga koalicioni opozitar me Partinë Socialiste, pas mosmarrëveshjeve me liderin Edi Rama.
Në një njoftim për mediat, PDK bën të ditur se Kryesia e kësaj partie do të zyrtarizojë nesër në orën 12:00, marrëveshjen e bashkëpunimit me PD, marrëveshje kjo në bazë të cilës pritet që PDK të marrë një post zv/ministri.
Ndërkaq, vjeshta duket se ka ardhur me risi për këtë parti. Edhe pse u ndanë, duke u kthyer në kundërshtarë të përbetuar, Nard Ndoka e Nikollë Lesi pritet të shkojnë sërish drejt bashkimit në një parti. Kreu i PDK-së dhe ai i Lëvizjes Demokristiane më 13 shtator të këtij viti patën një takim mes tyre për mundësinë e krijimit të një formacioni të vetëm, që të synojë hyrjen në Parlament në zgjedhjet e ardhshme.
