E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demollari: Vllaznia, lidere e kampionatit

(Gazeta Sporti) - Kampionati shqiptar dhe ecuria e skuadrave të tij. Ish-trajneri i kombëtares Sulejman Demollari, vazhdon opinionin e tij eksluziv që nga java e kaluar për “Gazeta Sporti”, në lidhje me sfidat e javës së 16-të, problemet dhe anët pozitive të saj. “Ishte një javë normale dhe pa surpriza. Vllaznia vazhdon të mbetet lidere e Superligës. Tirana? Vazhdon të ketë një problem të madh psikologjik, i cili e pengon të dalë te fuqia e saj maksimale”.

VLLAZNIA- Demollari e nis me kryesuesen e kampionatit opinionin e tij për skuadrat e Superligës dhe gjendjen e tyre tani që kampionati është në gjysmën e rrugës së tij. “Vllaznia është një skuadër shumë cilësore me lojtarë të talentuar dhe që luajnë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Edhe në ndeshjen me Bylisin kuqeblutë e bënë mjaft mirë detyrën e tyre dhe për asnjë moment nuk u tërhoqën në mbrojtje. Kjo i jep mundësinë të jenë në çdo ndeshje të sukseshëm. Me këtë vazhdimësi, por edhe me një merkato shumë të kujdeshme them se me 90%” ata do të jenë kampionë të vendit”.

MENTALITETI- Sipas Demollarit, një rëndësi të madhe në sukseset e shkodranëve ka mentaliteti fitues që ata kanë. “Luajnë me optimizëm dhe besim në forcat e tyre. Është një grup ku lojtarët me eksperiencë kordinohen mjaft mirë me lojtarët e rinj që për hir të së vërtetës Shkodra i ka pasur dhe i ka me shumicë. Është një skuadër me shumë tradita dhe me një fanellë me shumë peshë që gjithnjë i ka dhuruar më të mirën futbollit shqiptar. Një meritë të padiskutueshme ka dhe trajneri Agim Canaj që për mendimin tim është i aftë të drejtojë një skuadër drejt titullit. Kudo që ka punuar ka treguar se mbetet një nga trajnerët më të mirë shqiptarë.

BAZA- Një nga elementët kryesorë të kësaj Vllaznie sipas Demollarit, është kontigjenti i lojtarëve vendas me shumë eksperiencë. “Gjendja e shkëlqyer që po paraqet skuadra shkodrane nuk është aspak rastësi. Një nga elementët kryesorë sipas meje në këtë sezon është baza që ka Vllaznia, ku pjesa më e madhe e lojtarëve janë shkodranë dhe vetëm disa prej tyre janë të ardhur. Mund të permend këtu Grimën, Licin, Sinanin, Osjen, Belishën, të cilët mbajnë peshën më të madhe të Vllaznisë. Ata janë lojtarë me shumë eksperiencë dhe e dinë mirë rrugën se si shkohet te suksesi. Por nuk mund të harrojmë kurrësesi lojtarë si Dhëmbi e Boadu që po japin maksimumin në skuadër dhe po e ndihmojnë shumë atë me vlerat dhe lojën e tyre”.

TIRANA- Skuadra bardheblu vazhdon të hasë vështirësi në lojrat e saj dhe sidomos në rezultate. Humbja në javën e kaluar me Bylisin e riktheu përsëri Tiranën te problemet. Për Demollarin kjo skuadër ka një problem të madh psikologjik. “Te Tirana nuk mendoj se mungojnë kualitetet apo mentaliteti fitues. Mjafton të përmendësh emrat që luajnë aty, apo dhe traditën e madhe të këtij klubi dhe të bindesh se skuadra vuan nga ana psikologjike. Kjo është shumë e rëndësishme edhe në futboll dhe bëhet një pengesë e madhe për vazhdimësinë. Trajneri Agustin Kola është njëriu i duhur për të drejtuar këtë skuadër, por do t’i duhet kohë për ta futur atë në rrugë të mbarë. Pikërisht në këtë drejtim, tekniku Kola duhet të punoj shumë dhe jam i bindur se do t’ia arrijë.

TITULLI-  “Tirana vazhdon të mbetet një rivale kryesore për titullin kampion. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë skuadër tjetër të rivalizojë Vllazninë përveç bardhebluve”, shprehet Demollari. “Për këtë mund t’i hedhim një sy ecurisë së skuadrave, sidomos atyre rivale. Si në ndeshjet brenda dhe jashtë fushë kanë lënë shumë pikë dhe kjo mendoj se është një arsye e fortë për të mos e realizuar një objektiv kaq madhor siç është titulli”.

DINAMO- Demollari është i bindur se Dinamo nuk i plotëson kushtet për të qenë një rivale e denjë për titullin kampion të paktën deri në gjysmën e sezonit. “Ka probleme në lojë dhe nuk i gjen me lehtësi fitoret. Duket sikur ia ka marrë dorën barazimeve dhe është e kënaqur me to. Edhe jashtë fushe nuk ka forcën e një sezoni më parë. Nëse nuk fiton në transferta nuk mund ta fitosh titullin dhe këtë blutë nuk e bëjnë dot. Edhe në ndeshjen me Lushnjen u pa një Dinamo e pafuqishme, madje kundërshtari e vuri në vështirësi të madhe. Vetëm një paqëndrueshmëri e mbrojtjes lushnjare si dhe fati e ndihmoi për të marrë tri pikët”.

DALIÇ- Trajneri kroat i bluve Zlatko Daliç një shqetësim të madh ka mbrojtjen e ngjeshur të skuadrave që luajnë përballë Dinamos në kryeqytet. Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur në deklaratat e tij pas ndeshjeve ku Dinamo nuk ka mundur të arrijë fitoren. Për këtë Demollari shprehet: “Daliç e ka shumë gabim që shprehet në këtë mënyrë. Të gjithë kundërshtarët që përballen ndaj tri skuadrave kryeqytetase luajnë shumë në mbrojtje, pasi synimi i tyre është të marrin qoftë dhe një pikë. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në kohët kur kam luajtur unë futboll, apo edhe më përpara. Askush nga ne apo trajnerët tanë nuk e ka gjetur si preteks këtë për të justifikuar rezultatet edhe kur ato kanë qenë të dobta. E kam thënë edhe më parë se Daliç nuk është trajneri i duhur për Dinamon, pa dashur të ul vlerat e tij të mira si trajner”.

BESA- Për skuadrën kavajase, Demollari shprehet se nuk ka qëndrueshmëri në lojrat e saj edhe pse fiton njëherë apo edhe dy herë rradhazi. “Është një skuadër që deri tani nuk ka ofruar garazci në lojra e rezultate. Fitorja me Teutën në transfertë mendoj se ishte sporadike, por jo bindëse. Mendoj se me elementët që ka dhe me ekeperiencën e tyre, të tjera probleme mund të ndikojnë që verdhezinjtë nuk kanë ecuri pozitive dhe ndodhen në vende të tilla në tabelën e klasifikimit”. 

TEUTA- “Pavarësisht humbjes në javën e kaluar nuk mendoj se Teuta do të ketë probleme në të ardhmen. Është një skuadër solide edhe pse pa emra lojtarësh. Trajneri Sulejman Starova po bën një punë mjaft të mirë dhe i ka marrë maksimumin lojtarëve të tij. Mendoj se humbja me Besën ishte rastësi, por erdhi edhe nga lodhja e futbollistëve në ndeshjen në mesjavë me Vllazninë. Këtë skuadër e shikoj ne vendet 3-4 në përfundim të kampionatit”.  

SHKUMBINI- “Shkumbini ka një skuadër cilësore, madje më cilësoren që mund të ketë pasur ndonjëherë, por nuk mendoj se do të arrijë ndonjë sukses të madh në këtë sezon. Madje unë nuk e shikoj as në kupat europiane edhe pse dëshira e drejtuesve është që ta drejtojnë skuadrën e tyre drejt një suksesi historik. Mentaliteti i fituesit është një pengesë e madhe e kësaj skuadre, të cilën unë e shikoj në vendet 5-6 në klasifikim në përfundimin e sezonit”. 

FLAMURTARI- Një tjetër skuadër që do të renditet nga mesi i tabelës deri në fund të sezonit sipas Demollarit është dhe Flamurtari. “Është një skuadër e mesme në të gjitha drejtimet. Është e fortë në fushën e saj, por në ndeshjet jashtë nuk është e aftë të arrijë rezultate. Mendoj se do të qendrojë brenda objektivit për të qenë maksimumi në vendin e 6-të në klasifikim”.

ELBASANI- “Për Elbasanin vazhdoj të ruaj të njëtin mendim. Nuk është në gjendje të bëjë diferencën me kundërshtarët e tij. Është e vërtetë që ka lojtarë shumë të mirë në përbërje, por nuk jam në gjendje të dalloj problemet e vërteta që e pengojnë të dalë te lojrat e tij më të mira. Me siguri duhet të jenë probleme të brendshme, të cilat nuk e lënë të ecë në rrugën drejt suksesit. Këtu një rol të madh ka dhe presidenca dhe objektivat që ajo ka në këtë sezon”.

MBIJETESA- “Së bashku me Partizanin e Lushnjen, edhe Apollonia e Bylis do të jenë skuadrat që do të rivalizojnë deri në fund për t’i shpëtuar rënies një kategori më poshtë. Po e marr nga fundi. Të kuqtë teorikisht janë të rënë nga kategoria, por shpresoj që në merkaton e janarit presidenti Albert Xhani të bëjë mrekullinë (siç e ka premtuar) për të shpëtuar skuadrën e tij. Edhe Lushnja po tregon se nuk ka forcë të mbijetojë, pavarësisht dëshirës së trajnerit Vasil Bici dhe eksperiencës që ai ka si trajner i vjetër në Superligë. Së bashku me këto skuadra janë dhe Apollonia e më pak Bylis. Skuadra fierake ka dëshirë dhe impenjim të madh, por mbi të gjitha një sulmues si serbi Bërkiç, i cili është i aftë të bëjë diferencën. Nuk jam i sigurtë te ecuria pozitive e kësaj skuadre edhe pse nuk e përjashtoj mbijetesën. Ballshiotët kanë më pak mundësi të bien një kategori më poshtë në këtë sezon. Forca e tyre mbetet kolektiviteti dhe vendosmëria për të marrë maksimumin në fushën e tyre. Nëse vazhdojnë të fitojnë në shtëpi (pavarësisht humbjes me Vllazninë), jam i bindur se e kanë të sigurtë shpëtimin. 

E Marte, 23 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›