Demollari ‘parkon’Veliun te Dinamo e Bukureshtit
Sulejman Demollari nuk përmbahet. Nëse në janar arriti të bëjë të mundur finalizimin e operacionit “Bakaj”, pas të cilit u gradua si menaxher në ish-skuadrën e tij rumune, tani ai po bën gati një tjetër goditje. Bëhet fjalë për Franc Veliun, mbrojtësin 22-vjeçar (23 në 11 nëntor), që militon prej sezonit 2006-2007 në radhët e Flamurtarit, duke koleksionuar mbi 140 ndeshje me fanellën kuqezi. Ndonëse në moshë ende të re, Veliu mund të krenohet me ndeshjet që ka zhvilluar, pasi i kanë dhënë atij eksperiencën e duhur, madje, duke e bindur trajnerin Kuzhe që ta grumbullojë në disa raste me skuadrën kuqezi. Debutimin e tij me skuadrën përfaqësuese Veliu e ka bërë pak ditë më parë në “El Monumental”, kur u ndesh me Argjentinën e Lionel Mesit. Sigurisht që 4 golat e pësuar nuk mund ta fshijnë dot emocionin e tij si titullar në radhët e kuqezinjve.
Sidoqoftë, lajmi bëhet i ditur nga gazeta rumune “ProSport”, e cila tregon se Dinamo e Bukureshtit po ndjek dy lojtarë, Srdjan Luçin e Politeknik Timishoarës dhe Franc Veliun. Në të vërtetë, dëshira e trajnerit Ioan Andone është Luçin, që shikohet si elementi i duhur për të mbuluar vendin bosh në formacionin e tij. Por “qentë” e Bukureshtit (siç është pseudonimi i Dinamos), nuk do ta prishnin shumë terezinë nëse nuk do të mund të firmosnin me Luçin, pasi edhe Veliu gëzon thuajse të njëjtat kuota si edhe të rumunit. Gjithashtu, sikundër shkruan edhe gazeta, Dinamo e Bukureshtit nuk do të dëshironte që ta humbiste Veliun, sikundër ndodhi me Andi Lilën. Ky i fundit ka firmosur me PAS Janinën. Nëse Veliu do të largohej, do të linte një boshllëk në radhët e Flamurtarit, por kuqezinjtë mund t’u bëjnë thirrje elementëve të tyre të akademisë, sikundër kanë bërë shpesh gjatë sezoneve të fundit.
Tirana bllokon Karabecin
Tirana ka humbur Sabien Lilajn, teksa ky i fundit do të nisë një aventurë të re me skuadrën e Inter Zapresiç. Duke qenë se nga skuadra bardheblu ka pasur shumë rrjedhje, presidentin Refik Halili ka nxituar që të mos lejojë asnjë largim tjetër nga ekipi. Kështu, Halili ka takuar Erando Karabecin dhe ka biseduar për disa minuta me të. Ish-lojtari i Partizanit ka rënë dakord që të rinovojë kontratën, duke përfituar edhe një rritje të pagës.