E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barça, orët vendimtare për Fabregas e Sançez

Brenda 24 orëve pritet të zyrtarizohen dy blerjet e reja për klubin katalanas. Mesfushori i Arsenalit dhe sulmuesi i Udinezes pritet të vishen blaugrana shumë shpejt

Lajmet që vijnë nga Spanja janë me të vërtet të bujshme. Sipas shtypit iberik, në fakt, Barcelona ka blerë Fabregasin dhe Sançezin, por preferon që të ruajë fshehtësinë, për t’i zyrtarizuar të dy në të njëjtën kohë. Kjo pasi katalanasit tashmë do të kenë në dispozicion më shumë se 50 mln euro për merkaton (pra flitet për rreth 70 mln euro), një shumë e cila u vu në dispozicion pas rritjes së kapitalit. Dhe, flitet se këto dy operacione të kushtueshme do të mbyllen brenda ditës së martë. Pra, me ardhjen e Sançezit dhe Fabregasit, Pep Guardiola do të ketë në dispozicion një grup fantastik, të përbërë nga futbollistë të kalibrit ndërkombëtar, si Mesi, Vija, Iniesta, Ksavi, Pedro, Sançez dhe Fabregas, për të cituar disa. Super marrëveshja e regjistruar nga Barcelona është edhe një “bombë” që do të shfarosë shumë ekipe të tjera, pasi fuqizimi i kampionëve të Europës është duke u ardhur në rritje nga sezoni në sezon. Kemi mbërritur në momentin për të bërë llogaritë dhe aty katalanasit janë të pamëshirshëm dhe “dorëlëshuar”. Në marrëveshjen për mesfushorin e Arsenalit janë edhe dy të rinj, Jon Toral dhe Hektor Bejerin, ndërsa për klubin friulian janë gati 26 milionë euro, të cilëve mund t’u shtohen edhe 11 të tjera, në rast paraqitjesh të mira në Primera Division. Por, lajmi i dy ditëve më parë ardhur nga Madridi ka bërë që merkato të tronditet disi. Sipas zërave, edhe Murinjo ka kërkuar informacione për të nisur, apo jo, negociatat për Fabregasin, që i pëlqen shumë. Pra, “Special One” është gati që të nisë një “luftë” të hapur me Barcelonën mbi katalanasin. Megjithatë, lojtari dje ka udhëtuar drejt Anglisë për të folur ballë për ballë me trajnerin Arsen Venger, për ta bindur atë që ta lërë të lirë e të mos e mbajë edhe një tjetër sezon kundër dëshirës së tij në “Emirates”. Fabregas, gjak katalan, do të dëshironte të rivishte fanellën blaugrana si dikur, por një megaofertë e Real Madridit mund ta ndryshonte kursin e rrugës së tij duke e spostuar në kryeqytetin spanjoll.

Nëse Aleksis Sançez do të shkojë te Barcelona, do të jetë vetëm për para. Pra, asnjë futbollist i përfshirë në marrëveshje, në rrugën që nga Barcelona të çon në Udine. Pas Bojan Krkiç, në fakt, edhe Hefren refuzoi të transferohet në “Friuli”: “Im bir nuk do të shkojë te Udineze. Prioriteti i tij është të luajë te Barcelona, apo të transferohet te një tjetër klub spanjoll, apo anglez”, shpjegoi babai i Hefrenit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›