E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demonstrata, SHBA: Të jetë paqësore politika foli ashpër

TIRANE- Një ditë para demonstratës së Partisë Socialiste reagon edhe ambasada amerikane. Sipas një deklarate, ky institucion mbështet cdo lloj forme proteste të popullit, gjithmonë nëse ato nuk janë të dhunshme dhe respektojnë institucionet.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet plotësisht të drejtën për lirinë e shprehjes dhe grumbullimit për të gjithë popullin e Shqipërisë. Në një shoqëri demokratike si Shqipëria, është e rëndësishme që shprehje të tilla të jenë paqësore dhe konstruktive. Respektimi i institucioneve, sundimit të ligjit, dhe të drejtave të të tjerëve duhet të zbatohen gjatë të gjitha tubimeve e demonstratave”,- thuhet në njoftim.

Ambasada e SHBA-së i bën apel politikës shqiptare të moderojnë deklaratat e bëra ditët e fundit, pasi ato përmbajnë retorikë të papranueshme dhe shprehje dhune, nga e cila nuk fiton populli shqiptar. “Ditët e fundit, retorika dhe gjuha e disa udhëheqësve politikë kanë marrë një ton që sugjeron mbështetje për akte çrregulluese dhe të dëmshme e sjellje të papërshtatshme. Kjo gjuhë është e papranueshme. Përdorimi i retorikës provokuese dhe sugjerimi apo tolerimi i ndonjë forme dhune është në dëm të popullit të Shqipërisë. Populli shqiptar meriton më mirë se kaq. Ai ka punuar me seriozitet dhe durim drejt përmbushjes së reformave për të cilat ka nevojë urgjente dhe përparimin e vendit të tyre e përmbushjen e aspiratave të tyre demokratike”,- theksohet më tej në deklaratë.

Ambasada e SHBA mbështet punën profesionale të policisë në raste të tilla tubimesh dhe fton ata të bëjnë të njëjtën gjë edhe nesër.“Vlerësojmë sjelljen profesionale që policia e shtetit ka ushtruar në mënyrë konseguente në përmbushje të përgjegjësive të tyre gjatë demonstratave të kaluara. Presim që i njëjti nivel profesionalizmi të demonstrohet në protestën e planifikuar për ditën e premte, më 21 janar”,- përfundon deklarata.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›