E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmshpërblimi i ish/të përndjekurve, 3 miliardë lekë për vitin 2013

Ja sa lekë do të shpenzojë qeveria për ish/pronarët; të përndjekurit; rritjen e pagave dhe pensioneve

Projektbuxheti i vitit 2013 parashikon një fond prej 3 miliardë lekësh për dëmshpërblimin e ish/të përndjekurve politikë, ose thënë ndryshe 0.2 % e PBB-së do të shkojnë vetëm për këtë shtresë. Qeveria ka akorduar gjithashtu një fond prej 1.8 mld lekësh edhe për kompensimin e ish/pronarëve, ndërkohë që fondi për rritjen e pensioneve për vitin që vjen llogaritet në 1.5 mld lekë. Ndërsa në total fondi për rritjen e pagave dhe pensioneve shkon në 2 500 milionë lekë të reja.
Borxhi publik
Vitin që vjen borxhi publik do të arrijë në kufirin 62.6 %. Ndryshimi i kufirit të borxhit është parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2013 dhe kjo shifër e kalon nivelin prej 60 % të borxhit të rekomanduar nga FMN dhe BB. Buxheti prej 409 miliardë lekësh i 2013-s, parashikon rritje të shpenzimeve, ku pjesa më madhe e të cilave shkon për investimet publike. “Borxhi publik parashikohet të arrijë në nivelet 62.6 për qind e PBB. Shpenzimet kapitale, ose investimet për 2013-ën, parashikohen në masën 71.4 miliardë lekë, ose 5 për qind në raport me PBB-në”, tha dje gjatë Konferencës së Kryetarëve, Nezir Haldedaj, zv.ministër i Financave.
Rritja ekonomike
Po sipas tij rritja ekonomike e Shqipërisë do të jetë më e lartë se 2012-a, me gjithë efektet e krizës në rajon. “Ne projektojmë një rritje ekonomike rreth 4 për qind, një normë inflacioni prej 3 për qind, importet e mallrave parashikohen të rriten në rreth 6.4 për qind, eksporti rreth 15 për qind. Ky draft-buxhet mund të realizojë një politikë fiskale me fokus kryesor nxitjen e rritjes ekonomike, që është kryefjala e këtij buxheti”, tha më tej Haldedaj.
Pagat dhe pensionet
Draft-buxheti i vitit 2013 parashikon si çdo vit edhe rritjen e pagave dhe pensioneve. “Do të vijojë rritja e përvitshme tashmë e pagave dhe pensioneve, e cila prek një pjesë të madhe të familjeve shqiptare dhe rrjedhimisht ka impakt shtesë pozitiv në kërkesën agregate dhe stimulimin e rritjes ekonomike”, shpjegoi zv.ministri i Financave. Të ardhurat në total në buxhetin e vitit që vjen planifikon në 366.6 miliardë lekë. Investimet publike do të thithin një vlerë sa 5 % e PBB-së. Konferenca e Kryetarëve ka miratuar kalendarin e diskutimeve të projektbuxhetit në komisionet parlamentare.

>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>

Buxheti për kompensimin e pronarëve

1) Të ardhurat                         1 800 milionë lekë;
2) Të ardhura të tjera                 1 500 milionë lekë;
3) Transferimet nga buxheti i shtetit  300 milionë lekë;
4) Shpenzimet                          1 800 milionë lekë.

Buxheti i shtetit  për vitin 2013 :

1) Të ardhurat        287 742       milionë lekë
2) Shpenzimet         336 675       milionë lekë
3) Deficiti           48 933        milionë lekë

Buxheti vendor për vitin 2013 :

1) Të ardhurat                     29 256    milionë lekë
2) Granti nga buxheti qendror      14 153    milionë lekë
3) Të ardhura te tjera             15 103    milionë lekë
4) Shpenzimet                      29 256    milionë lekë

Buxheti i sigurimeve shoqërore

1) Të ardhurat, gjithsej         88 876    milionë lekë
2) Kontributet                   51 399     milionë lekë
3) Transferimet nga buxheti      37 477     milionë lekë
4) Shpenzimet                    88 876      milionë lekë

Pensionet suplementare

1) Të ardhurat, gjithsej           5 438      milionë lekë
2) Kontributet                     400        milionë lekë
3) Transferimet nga buxheti        5 038      milionë lekë
4) Shpenzimet                      5 438      milionë lekë

Buxheti 2013, 15.7 % për shlyerjen e borxhit

Në vitin 2013, Qeveria shqiptare do të paguajë në total 641 milionë dollarë për të shlyer borxhin e saj. Pjesa dërrmuese e faturës përbëhet nga interesat, ndërsa një pjesë më e vogël ka të bëjë me shlyerjet e kredive që Shqipëria ka marrë vitet e kaluara. Krahasuar me këtë vit fatura për shërbimin e borxhit do të rëndohet në 2013-n me 8.4 miliardë lekë, kur vetë buxheti në total rritet me 12 miliardë lekë. Kjo do të thotë se 70 për qind e gjithë rritjes në vlerë të buxhetit nuk do të shkojë për të mbështetur më shumë sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia apo dhe qytetarët në nevojë, por gërryhet nga fatura e borxhit. Interesat e larta që paguan dhe buxheti i vogël në raport me prodhimin kombëtar e bëjnë Shqipërinë një nga vendet ku borxhi merr një pjesë shumë të madhe të buxhetit. Në vitin 2013, interesat dhe shlyerja e kredive do të marrin 15.7 për qind të të gjithë shpenzimeve të buxhetit. Kjo shifër është ndër më të lartat në Europë, e krahasueshme vetëm me vendet që janë në krizë të thellë financiare si Greqia. Në relacionin shoqërues të projektbuxhetit, Ministria e Financave thotë se një pjesë e arsyeve se pse fatura po rëndohet, lidhen me ndryshimin e strukturës së borxhit, që e ka orientuar huamarrjen drejt kredive afatgjata dhe në tregjet e huaja.

Borxhi, PD: Rritja e arsyeshme

Projektbuxheti i vitit 2013 parashikon një rritje të borxhit në nivelin 62.6 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Për deputetin e PD-së, Sherefedin Shehu ky vendim është i arsyeshëm, duke qenë se rritja ekonomike pritet të shkojë në 4 % vitin që vjen. “Rritja e borxhit ka qenë e imponuar. Huamarrja është natyrisht balanca e deficitit buxhetor që është 3.4 %. Niveli i huamarrjes dhe rrjedhimisht i deficitit buxhetor është niveli i praktikave më të mira. Mendoj se qeveria e ka rritur në mënyrë të arsyeshme deficitin buxhetor dhe huamarrjen”, është shprehur dje në media Sherefedin Shehu. Në argumentin e tij, deputeti Shehu, garanton se pavarësisht rritjes, borxhi publik do të vijojë të mbetet i shëndetshëm. “E para, është borxh institucional sepse nuk ka rrisk të lartë. Në masën 95 % ky borxh është marrë nga institucione financiare ndërkombëtare të zhvillimit dhe nga tregu i brendshëm bankar. Aspekti tjetër më i rëndësishëm, është që, ky borxh është marrë vetëm për investime publike”, shprehet Shehu.

Borxhi, PS: Rritja e rrezikshme
Ndërsa deputeti socialist, Arben Malaj, nga ana tjetër shprehet se rritja e borxhit rrezikon parametrat ekonomikë. “Ajo që ka deklaruar qeveria, që do të vazhdojë me rritjen e borxhit, zgjatja e krizës së borxheve të këqija, duket se nuk kanë gjetur zgjidhje në buxhetin e vitit 2013 dhe spostohet në një kohë të dytë me të ardhura nga privatizimi”. Deputeti Malaj deklaron më tej se projektbuxheti i 2013-ës, mbart shumë risqe dhe se për hartimin e tij nuk është marrë asnjë sugjerim i opozitës. “Risku më i madh që ka buxheti 2013-ës, bazuar në eksperiencën e keqe të kësaj maxhorance, është tendenca për ta keqpërdorur atë në 6 muaj para zgjedhjeve, për të krijuar idenë e një zhvillimi të vrullshëm ekonomik. Në realitet ata do ta fshehin krizën përkohësisht dhe do ta spostojnë për pjesën e dytë të vitit”, u shpreh Malaj dje në media.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›