E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti vizite zyrtare ne Gjermani merr mbeshtetje per integrimin

Ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë Edmond Panariti gjatë qëndrimit në Berlin në kuadër të Konferencës së pestë vjetore të Ministrave të jashtëm të Europës Juglindore është takuar me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme të Bundestagut gjerman, Rupert Polenz. Biseda është përqendruar tek marrëdhëniet politike dy palëshe duke theksuar se Gjermania është një partner strategjik i Shqipërisë dhe se qeveria shqiptare është e interesuar për fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat. Ministri Panariti ka kërkuar një prani më të madhe të investimeve dhe biznesit gjerman në Shqipëri duke pasur parasysh dhe faktin se vendi jonë ka dëshmuar një qëndrueshmëri ekonomike pavarësisht krizës financiare që ka prekur Europën. Është biseduar edhe për progresin e arritur nga Shqipëria në kuadër të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Progres ky që është reflektuar edhe në raportin e progresit të komisionit europian që ka rekomanduar dhënien e statusit kandidat. Polenz nga ana e tij konfirmoi se pavarësisht problemeve me të cilat ndeshet sot Europa, Gjermania mbështet perspektivën europiane të Shqipërisë dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti mori pjesë në darkën e shtruar nga Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Guido Vestervelle, për nder të kryetarëve të delegacioneve pjesëmarrëse në konferencën e Ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore. Në takimin që pati me homologun gjerman, Ministri Panariti e informoi në lidhje me zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri në kuadrin e plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe shprehu besimin se dhe tre ligjet e mbetura nga paketa e 12 rekomandimeve do të miratohen nga Parlamenti shqiptar në një kohë të shpejtë. Ministri Vestervelle vlerësoi progresin e arritur deri tani në Shqipëri dhe klimën politike që u krijua për miratimin e reformave dhe ligjeve të nevojshme për plotësimin e rekomandimeve të komisionit evropian. Vestervelle konfirmoi se vendi i tij është mbështetësi më i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se Evropa nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, ëshët vlerësuar dhe politika konstruktive rajonale të Shqipërisë e cila ka kontribuar dukshëm në stabilitetin e rajonit. Duke e uruar Ministrin Panariti për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ministri Vestervelle konfirmoi se do të zhvillojë së shpejti një vizitë zyrtare në Shqipëri për të diskutuar në lidhje me zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›