Berisha niset drejt Francës, do marrë pjesë në samitin e PPE
-Kryeministri do marrë pjesë në një seminar për zgjimin demokratik në Mesdhe dhe pranverën arabe. Po ashtu do takojë edhe kryeministrin francez
Kryeministri Berisha u nis sot për një vizitë në Francë. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri do të marrë pjesë në punimet e Kongresit e XX të PPE-së, i cili do të zhvillohet në Marsejë, në datat 7 dhe 8 dhjetor, si dhe do të takojë më datë 9 dhjetor Kryeministrin francez z.Francoise Fillon.
Kongresi XX i PPE-së do të diskutojë mbi situatën ekonomike në Evropë dhe çështjen e një forcimi politik dhe integrimi të mëtejshëm ekonomik, fiskal e social, si një përgjigje ndaj krizës ekonomike në eurozonë. Berisha do ti drejtohet me një fjalë Kongresit në ditën e parë të punimeve të tij.
Gjithashtu, Partitë Popullore Evropiane dhe Grupi i saj parlamentar në Parlamentin Evropian, do të zhvillojnë një Seminar të përbashkët me temë: Bashkimi Evropian dhe zgjimi demokratik në Mesdhe: Mbështetja e pranverës arabe, duke shtuar ndihmën për demokracitë e reja.
Më datën 9 dhjetor, Kryeministri Berisha do të takojë në Paris Kryeministrin e Francës Francoise Fillon, me të cilin pritet të diskutojë në lidhje me zhvillimin dhe fuqizimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në lidhje me procesin e integrimit evropian. Gjatë kësaj vizite, ai gjithashtu do të takojë ministrin francez për Energjetikën, z. Eric Besson, si dhe do të vizitojë ekspozitën Faqet e arta të fotografisë shqiptare, e çelur në Paris, në Shtëpinë Evropiane të Fotografisë, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.