Fule: Kosova ka dëshmuar vizionin e saj evropian

Në takim sipas Zyrës për informim të Qeverisë, është diskutuar për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, për përkushtimet e Qeverisë së Kosovës për të përmbushur në plotëni kriteret dhe standardet evropiane të integrimit.
Thuhet se me theks të veçantë është diskutuar për fillimin e dialogut për liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe për marrëdhëniet kontraktuale të Kosovës me BE-në.
Kryeministri Hashim Thaçi gjatë takimit me Stefan Fulen ka ritheksuar gjithë angazhimin e vazhdueshëm dhe konsekuent të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve kosovare për përmbushjen e agjendës evropiane të integrimet, duke u fokusuar në implementimin e reformave të gjithmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion.
Po ashtu, Thaçi ka potencuar se institucionet e Kosovës kanë plotësuar të gjitha kriteret që kanë të bëjnë me nisjen e dialogut të liberalizimit të vizave dhe me të drejtë presim që ky proces të fillojë në ditët e ardhshme.
Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka mirëpritur qëndrimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave i BE-së që mbështet fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Nga ana e tij, Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Stefan Fule thuhet se e vlerësoi lartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e agjendës evropiane të integrimit dhe rikonfirmoi se perspektiva e Kosovës është perpektiva evropiane.
Fule në mënyrë të veçantë u shpreh me tone pozitive për angazhimin e treguar të institucioneve të Kosovës në dialogun për çështje teknike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Me këtë vizion, tha Fyle se Qeveria e Kosovës ka dëshmuar edhe një herë orientimin dhe vizionin e saj evropian.
Kryeministri Thaçi niset për në Bruksel
Me ftesë të zv.presidentes së Bashkimit Evropian dhe përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshës Catherine Ashton, sot pasdite kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Bruksel.
Bëhet e ditur se gjatë qëndrimit në Bruksel, kryeministri Thaçi do të zhvillojë takime me presidentin e Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, me zëvendëspresidenten e BE-së, baroneshën Catherine Ashton, si dhe me zyrtarë tjerë të lartë të Bashkimit Evropian.
Po ashtu kryeministri i Republikës së Kosovës do të ketë takime edhe me anëtarë të Parlamentit Evropian.
Thuhet se temë kryesore e të gjitha takimeve të kryeministrit Thaçi në Bruksel do të jetë përshpejtimi i agjendës evropiane të Kosovës, fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale të Kosovës me BE-në dhe mbështetja e Këshillit të Ministrave të BE-së për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Zhvillim.