E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtimet trupore, asnjë akuzë pa ekspertizë mjeko-ligjore

 

Sipas drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Ymaj, mjekët e urgjencave bëjnë regjistrime fiktive të dëmtuarish për manipulime

Dëmtimet trupore të shkaktuara për arsye të ndryshme, që janë shënuar në regjistra nga mjekët e urgjencave, nuk do të merren parasysh për ngritjen të ndonjë akuze nëse të dëmtuarit nuk i bëhet ekspertiza mjeko-ligjore. Ky është udhëzimi i ri i dalë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, sipas të cilit të dëmtuarit fizikisht nuk do t’i bëhet më një vlerësim sipërfaqësor, po do t’i bëhet ekspertizë e bazuar në fakte shkencore. Kështu, drejtori i këtij instituti, Besim Ymaj, shpjegon për “Shekullin” se ky urdhër erdhi pas konstatimi të disa rasteve ku mjekët e urgjencave shënonin të dëmtuar fiktiv në regjistrat mjekësorë për të manipuluar vepra të ndryshme. “Urdhri u drejtohet komisariateve që kur të bëhet një vendim për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore duhet t’i bëhet e qartë të dëmtuarit të paraqitet në ekspertizën mjeko-ligjore”,-pohon Ymaj.

Dëmtimet pa ekspertizë

Personat që pësojnë dëmtime të ndryshme për shkak të dhunës apo traumave të tjera ka raste që paraqiten pranë urgjencave dhe pasi u bëhet një mjekim dhe një shënim në regjistër ikin pa u bërë një ekspertizë mjeko-ligjore, e si pasojë edhe dëmtimi nuk bëhet mbi baza shkencore. Kështu u shpreh Besim Ymaj, duke theksuar se kërkohet ekspertimi mjeko-ligjor faktik. Sipas tij, ekspertimi i personave për të bërë një akt mjeko-ligjor duhet detyrimisht që eksperti, përveç të dhënave që dokumentohen në regjistrin e urgjencave duhet të vizitojë drejtpërdrejt dhe të dëmtuarin. “Pra duhet të njohë të dëmtuarin dhe të verifikojë edhe dëmtimet faktike që ka, sepse është konstatuar shpesh që në urgjencat tona ka regjistrime fiktive, siç mund të bëhen edhe manipulime për interesa të caktuara, duke i shënuar dëmtimet në regjistra siç u interesojnë atyre. Në këto raste ekspertet nuk e kanë parë dhe verifikuar se si është dëmtimi”,- pohon Ymaj, duke shtuar se ekspertët mjeko-ligjor nuk mund të jenë ekspertë të një shënimi të një infermiereje apo një mjeku në urgjencë për të verifikuar dëmtimet faktike, ndaj dhe kërkohet ekspertim mjeko-ligjor i të dëmtuarve. Sipas tij, ekspertimi mjeko-ligjor i një personi ka vlerë vetëm atëherë kur ekzaminohet vetë personi, duke e pyetur për ankesa dhe objektivisht konstatohen dëmtime ku janë të lokalizuara. “Në bazë të kësaj kategorie dëmtimi, i akuzuari merr edhe veprën penale nëse është rrahje, plagosje e lehtë, gërvishtje, duke marrë ndëshkimi përkatës me gjobë apo burgim.

Mjekët e urgjencave

Eksperti mjeko-ligjor, që të japë këtë kategori dëmtimesh që i vlen organit të akuzës apo organit të hetimit mbi shkallën e dëmtimit, duhet të njihet me veçoritë e dëmtimeve. Në fakt, Besim Ymja thekson se pikërisht këtë nuk bëjnë mjekët e urgjencave, pasi duke mos qenë kompetent ata nuk i njohin mirë llojet e dëmtimeve në vend dhe ndodh që në vend të një gërvishtje e shënojnë plagë, por që në fakt janë të ndryshme. “Kështu nuk është saktësi shkencore që një ekspertim të bëhet vetëm mbi bazën e përshkrimeve që bëhen në shënimet e regjistrave të urgjencave. Ekspertimi mjeko-ligjor duhet detyrimisht që eksperti të njihet drejtpërdrejt me të dëmtuarin”, thotë Ymaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›