Tirana, situatë e nderë pas finales së humbur
Donatorët, pas një mbledhjeje urgjente, vendosin pezullimin e tre lojtarëve dhe lënien në detyrë të trajnerit
Masat e marra pas humbjes së finales
1. Duro, Sina dhe Vrapi të pezullohen deri në fund të sezonit, për shkak të mungesës së impenjimit në finalen me Vllazninë.
2. Trajneri Sulejman Mema do të vazhdojë të qëndrojë në krye të ekipit.
3. Lojtarët do të paguhen sipas kontratës.
4. Mbledhja e asamblesë në kohën më të afërt.
Katërshja e donatorëve bardheblu ka zhvilluar dje një mbledhje urgjente. Situata tejet dramatike e ndodhur në dhomat e zhveshjes, që përbën një precedent për futbollin shqiptar, ku donatori Halili kërkon të godasë lojtarët, duke i akuzuar për shitje ndeshjeje, nuk mund të mos sillte edhe masat e menjëhershme. Kështu, ashtu siç kishim shkruar edhe dje, është konfirmuar masa e pezullimit deri në fund të sezonit për tre lojtarë, Klodian Duro, Elvis Sina dhe Endri Vrapi. Pika e dytë ka të bëjë me besimin që i është dhënë trajnerit Sulejman Mema, i cili duhet të vazhdojë punën normalisht. Ndërkohë, një pikë tjetër e rëndësishme ishte ajo e pagesave, ku pavarësisht mosfitimit të titullit dhe Kupës së Shqipërisë, lojtarët do të paguhen sipas kontratës që kanë me klubin. Në fund, është diskutuar edhe zhvillimi i asamblesë, në kohën më të afërt të mundshme, ku këta donatorë do të kërkojnë të votëbesohen, madje më pas të zgjedhin edhe presidentin, i cili sigurisht duhet të ketë më shumë aksione. Në një situatë të tillë "vrastare", ku donatorët nuk kanë preferuar të flasin për mediat, i është lënë detyrë drejtorit të ri të klubit, Eduard Gjinit, i cili u shpreh dje për gazetën: "Pas një mbledhjeje urgjente, donatorët dolën në këto përfundime: 1. Pezullimin deri në fund të sezonit për Duron, Sinën dhe Vrapi, për shkak të mos impenjimit në finale të kupës. 2. Lënien në detyrë të trajnerit Sulejman Mema. 3. Kryerjen e të gjitha pagesave ndaj lojtarëve, ashtu siç është e parashikuar në kontratë. 4. Zhvillimin e asamblesë së zakonshme, në periudhën më të afërt,"- tha Gjini. Por këto masa mund të quhen vetëm paraprake, sepse sponsorët bardheblu pritet të mblidhen sërish gjatë kësaj jave, për të analizuar ndoshta me më shumë qetësi atë se çfarë ndodhi në Elbasan. Nuk përjashtohet mundësia, që të merren masa ekstreme edhe për lojtarë të tjerë, apo pjesëtarë të stafit. Ajo që është e rëndësishme të thuhet në këto momente, ka të bëjë me faktin, se post-finalja po shoqërohet me një situatë "vrastare" te bardheblutë, si asnjëherë tjetër në këtë dekadën e fundit. E gjithë kjo rrëmujë e madhe erdhi pas dyshimeve të donatorëve, që Duro, Sina dhe Vrapi e kanë shitur finalen e kupës, një veprim i cili ka prishur shumë imazhin e tyre përpara zhvillimit të asamblesë.
Aurel CELIBASHI