E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen 1.5 milionë euro nga prostitucioni

“Antimafia” Krimet e Rënda marrin dosjen nga Task-Forca. Nën akuzë, dy vëllezër nga Berati

Dy vëllezër nga qyteti i Beratit, përmes një skeme për pastrimin e parave të fituara nga prostitucioni në Greqi, kanë investuar në vendin tonë rreth 1.5 milionë euro. Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri “Antimafie”, Prokuroria e Tiranës e ka transferuar dosjen te Krimet e Rënda, pasi akuza e shfrytëzimit të prostitucionit është kompetencë e kësaj strukture. Menjëherë është vendosur bllokimi i shumës së majme të parave, ndërsa kanë filluar verifikimet për evidentimin e bizneseve, ku është investuar për të pastruar paratë. Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë për gazetën “Shqip” se dosja në fjalë duhet të hetohet nga Krimet e Rënda, ndërsa janë realizuar verifikimet e para, nga ku ka rezultuar se paratë e investuara kanë ardhur nga një organizatë kriminale që vepronte në disa qytete të Greqisë. Paratë transferoheshin në Shqipëri, ndërsa “pronarë” të tyre ishin vëllezërit S. dhe A. Shehu. Burimet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda deklarojnë se dy vëllezërit dhe familjarët e tyre duhet të provojnë prejardhjen e parave. Në të kundërt, pasuritë dhe llogaritë bankare do të kalojnë në favor të shtetit. Barra e provës, sipas ligjit të ri “Antimafie”, u takon personave të akuzuar, ndërsa roli i prokurorisë është që të marrë të gjitha të dhënat për të vërtetuar se burimi i të ardhurave nuk është i ligjshëm.

Bllokimi

Disa javë më parë, gjykata ka bllokuar pasuritë e dy vëllezërve nga Berati që trafikonin femra të ndryshme në Greqi. Fitimi nga trafiku i nxjerrë nga organizata kriminale arrinte shifrën e 12000 eurove në ditë. Të gjitha fitimet e ardhura nga ky trafik i paligjshëm janë depozituar në disa banka në vendin tonë. Ndërkohë, në shtetin helen kanë nisur hetimet mbi dy vëllezërit Shehu nga Berati. Menjëherë pas nisjes së hetimeve dhe arrestimit të tyre është kërkuar vendosja e sekuestros preventive mbi të gjitha pasuritë dhe llogaritë bankare. është arritur të bllokohen të gjitha llogaritë bankare, të cilat janë hapur në vitin 2008 nga dy vëllezër nga Berati. S.Shehu dhe A.Shehu janë vëllezërit nga Berati, të cilët akuzohen nga shteti helen për kryerjen e veprës penale të trafikut të qenieve njerëzore, shfrytëzim prostitucioni. Sipas të dhënave nga prokuroria, “administratori” i të hollave ka qenë C.M., i cili është kunati i vëllezërve nga Berati. Edhe ky shtetas ka hapur llogari bankare, të cilat tashmë janë bllokuar. është e vërtetuar, sipas akuzës, se C.M. ka bërë transaksione parash nga Shqipëria drejt Greqisë në emra të ndryshëm, kryesisht femra.

Prokuroria

Pas hetimeve paraprake nga Prokuroria e Tiranës, dosja ka kaluar te Krimet e Rënda. është bllokuar llogaria në euro e shtetasit F.Z., e hapur në datën 9 janar 2008. Po kështu është vendosur sekuestro preventive edhe mbi llogarinë bankare të shtetasit C.M., e hapur në datën 30 prill 2008. A. dhe S. Shehu janë akuzuar për veprën penale të pastrimit të parave, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Në datën 22 maj 2009, Drejtoria Kundër Krimit Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë të Shtetit ka dërguar një material për fillimin e ndjekjes penale regjistruar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me numër nr. 2662, datë 22 maj 2009. Interesimi për të bllokuar llogaritë e dy vëllezërve ka ardhur nga autoritetet greke. Sipas tyre, shtetasi shqiptar A.Shehu, nga Komuna Kutalli e Rrethit Berat dhe banues në rrugën “Sami Frashëri”, Tiranë, po hetohet në shtetin grek për veprat penale të trafikut të qenieve njerëzore dhe të pastrimit të parave. Ky shtetas, së bashku me vëllain e tij, S.Shehu, akuzohen për krijim të organizatës kriminale, me qëllim shfrytëzimin e prostitucionit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›