E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Denaj: Produktet tradicionale, interes i pashmangshëm për turistët në Përmet

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Përmeti tashmë njihet edhe si qyteti i prodhimeve tradicionale me glikotë e veçanta, që banorët i kanë pagëzuar edhe me emrin “mbretëresha” e zonës së tyre.

Mikpritës i vizitorëve në çdo stinë të vitit, Përmeti nuk mund t’i lërë vizitorët të largohen pa i provuar glikotë e shumëllojshme të gatuara nga amvisat përmetare.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale, historinë e Entelës, teksa shkroi se, për të provuar shijen e vërtetë përmetare, vizitorët ndalesën e radhës duhet ta bëjnë në punishten e saj, në qendër të Përmetit.

“Këtu, Entela dhe zonjat duararta të Përmetit prodhojnë gliko tradicionale, trahana si nga hera, reçel, rehani, pekmez, fruta të thata, etj”, u shpreh Denaj..

Që prej vitit 2017, qendra Di Pro Bio është një ndalesë e pashmangshme për të gjithë turistët që vizitojnë Përmetin.

Denaj tha se, tashmë, ajo ka krijuar një lidhje të veçantë edhe me agroturizmet e zonës për shpërndarjen e glikos së shumëllojshme dhe trahanasë.

Ndërsa Entela tregon se këto prodhime realizohen sipas praktikave të hershme që përgatiteshin nga gjyshet.

“Trahananë e bëjmë me kos të thartuar. Ndërsa glikoja e fikut të egër dhe e arrës janë ndër më të kërkuarat nga tregu. Ndërsa prodhimet tona po preferohen shumë nga pikat agroturistike”, thotë ajo. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›