E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Denaj sjell shembullin e fermerit në Bishan: Garanton produkte cilësore “Made in Albania”

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Fieri është qarku me prodhimin më të lartë të perimeve në serra në Shqipëri, referuar statistikave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale shembullin e fermerit Beti Nilo, në Bishan, të Fierit që kultivon prej vitesh në serrat e familjes së tij, perime të stinës që shkojnë për eksport.

“Beti Nilo kultivon me përkushtim lakër, pjepër dhe barbunja, siguron qarkullimin e kulturave për një prodhim të qëndrueshëm dhe të freskët”, tha Denaj.

“Në 40 dynym serra garanton produkte cilësore ‘Made in Albania’, të cilat shkojnë për eksport, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe dëshmuar se puna dhe pasioni i fermerëve tanë janë çelësi për vizionin “Bujqësia 2030”, u shpreh Denaj.

Fermerët kanë rritur ndjeshëm vitet e fundit prodhimin e perimeve të freskëta në serra, falë edhe subvencioneve nga dy masa të Skemës Kombëtare të Mbështetjes së Bujqësisë  që adresojnë pagesa direkte, për faturat e inputeve bujqësore dhe financim 50% të vlerës së investimit në serra. Ndërsa së fundi janë lançuar edhe Skema e Investimeve dhe Programi i financimit të SME-e, që mbështesin investimet në këtë sektor përmes financimit grant dhe kreditimit me interesa të ulët.

Aktualisht produktet e perimeve në serra përfaqësojnë mbi 25% të prodhimit të përgjithshëm bujqësor vendas, ku një pjesë e konsiderueshme e këtij prodhimi shkon për eksport. /j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›