Protesta në mbështetje të Veliajt, reagojnë SPAK dhe GJKKO

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes një shkresë drejtuar disa institucioneve të shtetit ka kërkuar informacion se pse nuk u mor asnjë masë sigurie nga strukturat e Policisë së Shtetit ditën që u mbajt seanca për verifikimin paraprak të masës së sigurisë për kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Sipas njoftimit për mediat të GJKKO-së, shkresa i është drejtuar Ministrisë së Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe për dijeni Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Nëpërmjet kësaj shkrese, GJKKO njofton se institucionet e sipërcituara janë vënë në dijeni në lidhje me tubimin që është organizuar në ambientet e jashtme të Gjykatës së Posaçme ku u “grumbulluan turma protestuesish, të cilit bllokuan tërësisht hyrjen në oborrin e përbashkët të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK”.
Sipas GJKKO “punonjësit e Gardës së Republikës kanë informuar Gjykatën se, në vazhdimësi është kërkuar prej tyre ndihmë nga Policia e Shtetit për të garantuar perimetrin jashtë të Gjykatave të Posaçme dhe SPAK”.
GJKKO njofton se “mbi situatën e datës 12.02.2025, që ka qenë vështirësia e lëvizjes së gjyqtarëve qoftë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, e cila u rëndua gjatë mbrëmjes, ku protestuesit jo vetëm kanë penguar gjyqtarët të dalin nga ambientet rrethuese të gjykatës, por edhe kur kanë tentuar të dalin, automjetet shoqëruese të tyre janë qëlluar nga ana e protestuesve, duke sharë dhe ofenduar gjyqtarët dhe prokurorët”.
Sipas GJKKO “kjo situatë ka sjellë që edhe pas përfundimit të seancës gjyqësore dhe shpalljes së vendimit, protestuesit kanë izoluar nëpërmjet rrethimit të gjithë gjyqtarët dhe stafin administrativ, të cilëve dukshëm iu cenuar siguria për jetën dhe shëndetin e tyre.
Pavarësisht fakteve të mësipërme, njofton GJKKO “nuk ka pasur asnjë reagim nga ana e saj për të bashkëpunuar me Gardën e Republikës së Shqipërisë, duke treguar një indiferentizëm të pashpjegueshëm në ndjekjen dhe parandalimin e kësaj situate e cila mund të rrezikonte seriozisht jetën dhe shëndetin e gjyqtarëve dhe personelit administrativ. Kjo apati institucionale përbën padyshim një cenim të rëndë të pavarësisë së gjyqësorit”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar “e ka konsideruar këtë sjellje të paprecedent të Policisë së Shtetit, të papranueshme dhe në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore përkundrejt institucioneve kushtetuese të sistemit të drejtësisë shqiptare, siç janë Gjykatat e Posaçme dhe SPAK”.
“Nëpërmjet mosveprimeve të saj, Policia e Shtetit ka kontribuar në pengimin e Gjykatës së Posaçme në ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese dhe ligjore për të gjykuar në një ambient të sigurt dhe të qetë si dhe për të garantuar jetën dhe shëndetin e gjyqtareve dhe personelit administrativ”, njofton GJKKO.
Nëpërmjet shkresës më sipër, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i është drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, “që të marrin masat e duhura për vënien përpara përgjegjësisë administrative apo ligjore, të gjithë personat përgjegjës të Policisë së Shtetit, të cilët nuk kanë marrë masat e duhura, në zbatim të ligjit, për të shmangur apo monitoruar këtë situatë të paprecedentë”.
“Po ashtu, kjo gjykatë ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion e gjithë procedura ligjore e ndjekur dhe planin e masave që janë marrë në rastet e ngjashme sikurse gjatë protestave të datave 6.12.2024 dhe 06.01.2025, si dhe një shpjegim i argumentuar dhe me prova pse nuk është ndjekur e njëjta praktike edhe në rastin e incidentit të datës 12.02.2025.
“Aktualisht, gjykata është në pritje të kthimit të përgjigjes nga ana e autoriteteve kompetente, me qëllim ndjekjen e rrugëve të tjera institucionale sipas parashikimeve kushtetuese dhe ligjore”, njofton GJKKO.