E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Komisioni Rregullator miraton modelin e fletës së votimit për votuesit nga jashtë

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Komisioni Rregullator miratoi sot karakteristikat teknike të fletës së votimit për zgjedhësit me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.

Në mbledhjen e sotme u shqyrtua projektvendimi “Për miratimin e karakteristikave teknike të fletës së votimit për zgjedhësit me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025”.

Në relatimin e këtij pr/vendimi thuhet se, në ligj parashikohet që për zgjedhjet në Kuvend zgjedhësi voton me një fletë votimi me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore. Fletët e votimit përgatiten nga KQZ dhe duhet të jenë prej letre me ngjyrë dhe trashësi ose elementë konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj. Përveç elementeve të sigurisë së letrës fleta e votimit do të duhet të përmbajë dhe disa elementë teknikë në formën e kodeve që identifikojnë qarkun dhe elementë të tjerë identifikues që nuk lexohen me sy të lirë që janë QR kodet.

Anëtari i opozitës në Komisionin Rregullator, Muharrem Çakaj propozoi që fleta e votimit për emigrantët, që sipas Kodit duhet të ketë elemente dalluese nga ajo për votuesit brenda vendit, krahas emrit në fillim të fletës “Fletë Votimi Nga Jashtë”, nga mbrapa do të ketë dy shirita vertikalë në ngjyrë të përafërt me të kaltrën. Në mënyrë që kur të jetë e palosur, të dallohet nga fletët e votimit të votuesve brenda vendit.

Fletët e votimit nga jashtë do të jenë prej letre, do të kenë të njëjtën ngjyrë, trashësi dhe elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, njëlloj si tek fleta e votimit nga brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Përmban elementë teknik në formën e kodeve që identifikojnë zonën zgjedhore, qendrën e votimit, si dhe elemente të tjera identifikuese që nuk lexohen me sy të lirë. Përveç elementeve të sigurisë së letrës, fleta e votimit do të përmbajë dhe disa elementë teknikë në formën e kodeve që identifikojnë qarkun dhe elementë të tjerë identifikues që nuk lexohen me sy të lirë (QR code).

Fleta e votimit nga jashtë do të ketë si element të veçantë dallues nga fleta e votimit nga brenda vendit: Kreu i fletës së votimit ku vendosen elementët e përgjithshëm të fletës së votimit është pa ngjyrë (e bardhë) me lartësi 30 mm dhe kjo fletë votimi emërtohet “FLETË VOTIMI NGA JASHT˔. Në pjesën e pasme të fletës së votimit do të ketë dy shiritë veritikalë me ngjyrë të përafërt me të kaltrën, me kod (CMYK): (C 70%, M 0%, Y 31% K 0%).

Javën e kaluar Komisioni Rregullator miratoi karakteristikat e fletës së votimit për votuesit nga brenda vendit.

KQZ tani kalon në procesin e përgatitjes së procedurave dhe përgatitjes së zarfeve për postën dhe dërgimin në Diasporë të fletëve për votuesit e regjistruar, sipas afateve ligjore. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›