“Denigrimi i Gjyqtarëve rrezikon të shkatërrojë besimin tek drejtësia”

Reagon Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë, pas sulmeve politike
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar për sulmet politike populiste të vendimeve të Gjykatave. Në një deklaratë publike, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë shprehet se “Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin të informojë edhe një herë opinionin publik se vendimet e gjykatave, kur përfundon shqyrtimi i tyre në të gjitha shkallët e gjykimit, mund të jenë objekt analize objektive, profesionale, veçanërisht nga njohës së të drejtës. Por nëse ky proces zëvendësohet, fatalisht dhe në mënyrë populiste, në një fushatë denigrimi dhe përbaltje, kjo rrezikon të shkatërrojë në mënyrë të pakthyeshme shanset për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia, pa të cilin aspiratat për ndërtimin e konsolidimin e shtetit të së drejtës do të ishte iluzion”, thuhen në deklaratën e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë. Sipas tyre kjo praktikë populiste “do të delegjitimonte punën e vështirë të gjyqtarëve, të cilët çdo ditë e më tepër po përballen me dhunën fizike e verbale të frymëzuar nga kjo klimë”. Në fund të deklaratës, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thekson se “konsolidimi i sistemit të drejtësisë dhe rritja e besimit të publikut tek ai është një proces që kërkon vizion dhe gjithë përfshirje”.