E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimet e huaja, 40 kërkesa për transferim

16/08/2010 Gjykata miraton vetëm 15 kërkesa transferimi. Të dënuarit në Itali do ta vuajnë dënimin në Shqipëri

Mungesa e familjarëve në Itali shtyn të dënuarit të kërkojnë transferimin në burgjet shqiptare

TIRANE- Marrëveshja e firmosur pak muaj më parë mes Ministrisë së Drejtësisë shqiptare dhe asaj italiane për transferimin e të dënuarve shqiptarë nga Italia në Shqipëri duket se po funksionon më së mirë. Duke iu referuar kësaj marrëveshjeje, rreth 40 të burgosur në Itali i janë drejtuar gjykatës së Tiranës, ku kërkojnë transferimin e tyre nga burgjet italiane në ato shqiptare. Argumentet që ata shtrojnë janë të ndryshme, por shumica kërkojnë që dënimin ta vuajnë në Shqipëri pasi vend kanë më shumë mundësi të takojnë familjarët e tyre. Burime pranë gjykatës së Tiranës thanë se gjatë këtyre muajve janë depozituar plot 40 kërkesa, rreth 15 prej tyre janë miratuar, duke iu hapur rruga të dënuarve në Itali për t’u transferuar në burgjet shqiptare. Sipas ekspertëve, një gjykatë shqiptare procedon me njohjen e një vendimi penal të huaj kur ajo kërkohet nga Ministria e Drejtësisë mbi bazën e një kërkese nga shteti dënues për njohjen dhe ekzekutimin e vendimit penal. Vendimi penal i huaj mund të ekzekutohet si ndaj shqiptarëve, të huajve apo edhe personave pa shtetësi. Vendimi i një gjykate të huaj për dënimin me burgim mund të ekzekutohet me kërkesë të një shteti të huaj, në rastin kur personi i dënuar nuk mund të ndalohet nga ai shtet me kërkesë të një shteti të huaj kur personi i dënuar është shtetas shqiptar dhe ka vendbanim në Shqipëri dhe me kërkesën e një shtetasi shqiptar që vuan dënimin në shtetin dënues për transferim dhe vazhdim të vuajtjes së dënimit në vendin mëmë. Shtetasi shqiptar që vuan dënim me burgim në një shtet të huaj, me kërkesë të tij mund të transferohet në Shqipëri për vazhdimin e vuajtjes së dënimit të dhënë në shtetin e huaj. Ligji “Për marrëdhëniet juridiksionale me shtetet e huaja në çështjet penale” ka sjellë pas 14 vjetësh ndryshimin e legjislacionit. Sipas këtij ligji, shtetasi shqiptar i dënuar me burgim mund të transferohet vetëm me pëlqimin e shtetit që e ka dënuar, me kusht që shtetasi shqiptar i dënuar të ketë shprehur pëlqimin për transferimin dhe që pjesa e mbetur e dënimit të mos jetë më pak se gjashtë muaj. “Për procedurat e transferimit vlejnë dispozitat për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja. Vendimi i gjykatës vendase për njohjen e një vendimi penal të huaj i komunikohet personit të dënuar në shtetin dënues dhe u paraqitet gjithashtu autoriteteve kompetente të shtetit dënues”, - thuhet në ligj. Sipas tij, pasi personi i dënuar të ketë nënshkruar marrjen e vendimit të komunikuar, konfirmimi i marrjes i paraqitet gjykatës që ka dhënë vendimin. Pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë dhe autoritetet kompetente të shtetit dënues të kenë rënë dakord me të, fillon marrja e masave për transferimin e personit të dënuar nga shteti dënues në Republikën e Shqipërisë. Shtetasi i huaj që kryen dënimin në Shqipëri, sipas një vendimi të gjykatave vendase, mund të bëjë kërkesë për të vazhduar vuajtjen e dënimit në vendlindje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›