E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria: Amnistia fiskale, qeveria e humbi rastin

16/08/2010 Deklaratat e qeverisë për të aplikuar amnistinë fiskale duket të ishin kthyer në vendim konkretë gjatë ardhjes së fluksit më të madh të emigrantëve. Për administratorin e përgjithshëm të Konfindustrisë Gjergj Buxhuku qeveria e ka humbur rastin për të marrë këtë vendim dhe për t’i dhënë një impakt më të madh ekonomisë së vendit. “Qeveria shqiptare me vonesat e saj të paarsyetuara në kryerjen e faljes fiskale ka humbur hapësirën kohore më të përshtatshme të vitit të zbatimit të procesit në fjalë, që përkon me kthimin e emigrantëve për pushimet e verës në atdhe”, - deklaroi dje Buxhuku. Në një konferencë për mediet Buxhuku argumentoi se do të ishte me ndikim të ndjeshëm pozitiv në ekonominë kombëtare hyrja e flukseve financiare nga jashtë në kushtet kur kërkesa për likuiditet nga biznesi është tejet e madhe dhe pasojat e krizës botërore janë të prekshme. “Do të ishte e rëndësishme kryerja e faljes fiskale dhe rritja e të hyrave financiare në ekonominë shqiptare pas shkurtimeve të thella qeveritare në buxhetin e ndryshuar në korrikun e vitit 2010”, - theksoi ai. Duke u ndalur në procesin e faljes fiskale, administratori i Konfindustrisë u shpreh se ky proces duhet t’u drejtohej mbi të gjitha qytetarëve shqiptarë dhe kryesisht atyre që jetojnë jashtë vendit. “Kthimi i tyre i përvitshëm me rastin e pushimeve të verës duhet të shoqërohej me një strategji të qartë ligjore dhe teknike të përgatitur me kohë nga ana e ekzekutivit, me qëllim që të bëhej e mundur ndërgjegjësimi, sqarimi dhe zbatimi në praktike i faljes fiskale për qytetarët”, - vazhdoi Buxhuku. Administrator i përgjithshëm i Konfindustrisë ka bërë dhe krahasime me vendet e tjera të rajonit, të cilat kanë marrë një sërë masash për të thithur investime nga vendet e tjera. Ai ka përmendur nismën e fundit të qeverisë së Malit të Zi për shitjen e nënshtetësisë për qytetarët e huaj, që investojnë 500 mijë euro. Gjithashtu vendimin e Greqisë për fillimin e zbatimit me shpejtësi të amnistisë për hyrjet në sistemin bankar të depozitave nga vendet e treta, faljen e përsëritur e të njëpasnjëshme fiskale të qeverisë së Italisë si dhe një sërë masash të tjera. Nisur nga këto veprime të vendeve fqinje, Buxhuku u shpreh se është e papranueshme që nga ana e qeverisë shqiptare nuk është bërë asnjë hap i tillë. “Është krejtësisht e papranueshme që në një hapësirë kohore 20-vjeçare të ndryshimeve kaq të thella ekonomike, fiskale dhe institucionale Shqipëria të mbetet i vetmi vend në Evropë, përfshi edhe vendet e BE-së, që nuk ka bërë asnjë falje fiskale të vërtetë”, - përfundoi ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›