Dënimi i Salianjit, Rama: Përdori mandatin e deputetit për të goditur kundërshtarin politik

TIRANË, 31 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar si një lajm shumë të mirë vendimin e Gjykatës së Apelit për të dënuar me 1 vit burg ish-deputetin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, për “kallëzim të rremë” për çështjen “Babale”.
Kreu i qeverisë gjatë një interviste televizive, tha se u përdor mandati i deputetit për të degjeneruar publikisht kundërshtarin politik.
“Jo nuk është për arsye deklaratash, është për një arsye shumë të rëndë dhe këtë mund ta komentoj, pasi është një vendim përfundimtar dhe një vendim përfundimtar mund ta komentoj”, tha Rama i pyetur se Salianji u dënua për disa deklarata.
“Nuk është për deklaratë është për formën më të rëndë të shpifjes që është krijimi i rrethanave të kallëzimit të rremë, është për një çorientim të qëllimshëm të të gjithë popullit shqiptar me muaj të tërë me një telenovelë të stisur, me njerëz që kanë luajtur role për të goditur kundërshtarin politik për shkak të detyrës duke e degjeneruar publikisht”, tha Rama.
“Për atë vepër penale kodi parashikon burg dhe ai vendim është një lajm nga më të mirët që unë kam dëgjuar. Lajm i mirë është që futet një kallëzues i rremë, një fabrikant faktesh të paqena, një mashtrues popullor që ka përdorur mandatin e deputetit të opozitës për të degjeneruar publikisht kundërshtarin politik”- u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se ai e dinte se çështja “Babale” ishte një fabrikim “i ndyrë dhe se priti 6 vite të shohë këtë rezultat”. Rama e cilësoi si “vrasje pa gjak”, veprën penale për të cilën është dënuar Salianji.
“Do uroja shumë që ai vendim të bëhej mësim për të tjerë se ka të tjerë që vazhdojnë dhe bëjnë shpifje katastrofike. Nuk do të ndodhë kështu për fat të keq. I është bërë këtij mileti një terror pocaqish”, tha Rama.
I pyetur për deklaratat e tij në Kuvend në lidhje me Salianjin, Rama shpjegoi se i kishte thënë se nuk do ta shtynte pafund me raporte e me shmangie.
“Është vrasje pa gjak dhe pa të marrë jetën por duke i marrë shpirtin, trutë e kokës jo një personi. Nuk është normale por ne i kemi dalë kësaj pune përballë, por janë nëna prindër, fëmijë, nipër, që dëgjojnë këto tmerre dhe llahtarisën njerëzit”- tha Rama. /j.p/