Dënimi me vdekje, Hashemi: I motivuar politikisht

Zëvendëspresidenti i Irakut në ikje, Tarik al-Hashemi, e ka hedhur poshtë dënimin me vdekje ndaj tij si “i motivuar politikisht”.
Ai u tha reporterëve sot në Ankara të Turqisë, se procesi gjyqësor në mungesë të tij, në të cilin ai u dënua me vdekje me varje, për organizimin e ekipeve e vdekjes për t`i vrarë rivalët, ishte i turpshëm.
Hashemi ishte politikani më i lartë mysliman sunit në Irak. Ai është larguar në Turqi, në fillim të këtij viti, pasi autoritetet synonin arrestimin e tij.
Dje, një gjykatë irakiane e shpalli fajtor në mungesë zotin Hashemi, duke e dënuar me vdekje me varje. Po dje, nga shumë sulme në gjithë Irakun, janë vrarë së paku 88 vetë.
Përgjegjësinë për këto sulme të koordinuara e mori Shteti Islamik i Irakut, që është një grup i ndërlidhur me al-Kaidën.