E Diel, 1 Nëntor 2026

Denis Bler, kreu i shërbimeve të fshehta të Obamës

Çdo mëngjes, Barak Obama merr një raport të quajtur "Informimi i përditshëm i Presidentit", ku vihet në dijeni mbi kërcënimet më të mëdha që i bëhen vendit të tij nga jashtë kufijve. Përmbajtja, madje edhe titujt e këtyre përmbledhjeve të shkurtra, janë të klasifikuara si material tepër sekret, por nuk duhet shkuar shumë larg me imagjinatë, se bëhet fjalë për të dhëna të dërguara nga njerëzit e shërbimeve sekrete mbi përkeqësimin e situatës në Pakistan, luftërat mes karteleve të drogës në Meksikë dhe të rejat që vijnë nga Iraku dhe Afganistani.

Në krye të listës gjatë këtyre ditëve të fundit ka qenë Koreja e Veriut, e cila sapo iu gëzua lëshimit të një rakete, qëllimi i së cilës, sipas autoriteteve të këtij vendi, ishte hedhja në hapësirë e një sateliti telekomunikacioni. Komuniteti i shërbimeve të fshehta ndërkombëtare e konsideroi testim të një rakete me rreze të gjatë veprimi, e cila mund të transportonte edhe mbushje nukleare.

Njeriu me detyrën për të përpiluar këtë raport të përditshëm quhet Denis Bler, drejtori i ri i Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës. Si këshilltari kryesor për Inteligjencën i Presidentit Obama, Bler ka nën kontroll CIA-n bashkë me 15 agjenci të tjera shërbimesh të fshehta, ku numërohen 100 mijë të punësuar. I gjithë ky rrjet thith çdo vit rreth 45 miliardë dollarë të taksapaguesve amerikanë. Është i treti njeri që mban postin e DNI-së (Director of National Inteligence, drejtor i shërbimeve të fshehta kombëtare), i krijuar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit për të koordinuar më mirë komunitetin e gjerë të shërbimeve të fshehta dhe për të përmirësuar rrugët përmes të cilave këto të dhëna grumbullohen, analizohen dhe u transmetohen qeveritarëve të lartë.

Për çdo ditë, raporti i përmbledhur i Blerit mbulon të gjithë gamën e kërcënimeve që rrezikojnë sigurinë amerikane, nga lëvizja e fundit e "Al Kaedës", apo një grusht shteti në Madagaskar, te sulmet dixhitale apo ndryshimet klimaterike. Do të ishte e kotë të përmendnim çështjen e nxehtë aktuale të testit të bërë nga ana e Koresë së Veriut. "Pjesa më e madhe e botës e kupton lojën që po luan ky vend", thotë Bler. "Mendoj se rrezikojnë reagime shumë të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar".

Administrata "Obama" i ka shtuar edhe një tjetër detyrë postit që mban sot Bler: përgatitja e një raporti të vazhdueshëm mbi ecurinë e krizës globale dhe si mund të prekë politikat amerikane.

62-vjeçari, ish-admiral, i tërhequr nga marina amerikane pas një dekade 34-vjeçare, që arriti kulmin me postin e komandantit të Komandës Amerikane të Paqësorit, vërtet nuk është më ushtarak, por u përmbahet ende aspekteve taktike. Thotë se të dhënat hyjnë pak në punë, në mos vlejnë për të ndërmarrë veprime konkrete. Si rezultat ka ndërruar mënyrën me të cilën transmetohen raportimet e përditshme, duke bërë kështu që politikëbërësve të tjerë të lartë t‘u transmetohen shpesh të dhëna thelbësore mbi çështje që mund të mos duken të rëndësishme për momentin. Diçka e tillë u jep mundësinë këshilltarëve të tjerë presidencialë të punojnë mbi opsione të tjera politike, të cilat më pas i dërgohen Obamës. "Mundohem të vihem në vendin e tij dhe t‘ia bëj Shërbimin e Inteligjencës sa më të frytshëm", thotë Bler.

Në kohën kur ishte komandant marine, një prej gjërave që nuk i honepste fare qe paraqitja e vartësve të papërgatitur nëpër mbledhje. Njihet si menaxher shumë i aftë dhe i ngjiti një e nga një shkallët e marinës, nga oficer i rangut të ulët në komandant të Forcave të Paqësorit në Përl Harbor. Për këtë njeri që rrjedh nga familje me tradita në flotën ushtarake amerikane, ky ishte edhe kulmi i karrierës.

Ka lindur në Kiteri të Mainit, ndërsa i ati shërbente në Portin e Portsmuthit. Ndoqi hapat e të atit në marinë dhe u diplomua në Akademinë e Marinës, në vitin 1968. Miqtë dhe ish-kolegët e përkufizojnë si njeri tepër formal, me një sens të thatë humori. "Ka një aftësi të pabesueshme për interpretimin e fakteve dhe magazinimin e tyre si të ishte një arkivë. I bluan me vete, ndonjëherë për muaj të tërë, përpara se t‘ua shfaqë të tjerëve", tregon admirali në pension Mekriri, i cili dikur shërbente në marinë bashkë me Denis Bler.

Por posti i kreut të spiunëve amerikanë do t‘i kërkojë po këtë aftësi gjykimi për të përmbushur detyrat delikate që mbulon. Përqasja e Blerit me shërbimet e fshehta ndahet barazisht mes aspektit sulmues dhe atij mbrojtës. "Virtualisht, çdo analizë që kemi në duar mbi çështje të rëndësishme përmban jo vetëm sektorin e rrezikut, por edhe sektorin e masave që mund të merren ndaj atij rreziku", u shpreh Bler së fundmi përpara një grupi reporterësh. "Si mund t‘u vijmë në ndihmë politikëbërësve të gjejnë çelësin e një situate, në rast se nuk parashtrojmë problemet, por edhe alternativat për anashkalimin e tyre?".

Ditët e Denis Bler janë të mbushura me përpilimin e raporteve për Presidentin dhe mbikëqyrjen e një serie analizash afatgjata, përfshi vlerësimet e Inteligjencës Kombëtare, ku reflektohen gjykimet e komunitetit të shërbimeve të fshehta. Ndoshta pjesa më e vështirë e detyrës së tij ka të bëjë me koordinimin e 16 agjencive të shërbimeve të fshehta që operojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Ajo që po përpiqemi të bëjmë është bashkërendimi më i mirë i punës mes 16 agjencive. Nuk po e vrasim shumë mendjen për të sajuar diagrame apo raporte të reja", shpjegon ai.

E me gjithë bekgraundin e plotë ushtarak dhe me trajtimin e përditshëm të kërcënimeve nga më të rrezikshmit, Bler nuk është nga ata gjeneralët e ashpër e të rreptë që nuk hedhin asnjë hap përtej hapësirës ku i kufizon uniformë. I pyetur mbi situatën në Korenë e Veriut, fytyra e tij tregon menjëherë shenja emocionesh. "Kur ai regjim të bjerë dhe të nisin të shkruhen libra mbi Korenë e Veriut, do të jemi përpara një prej episodeve më të trishtueshëm në të gjithë historinë e njerëzimit", thotë me ton të matur. "Të dhënat shëndetësore, fizike dhe mendore të popullsisë së Koresë së Veriut janë të llahtarshme, nuk mund të zihen me gojë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›