E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dënohen dy drejtues mjetesh për shkelje të rënda rrugore pas denoncimeve të qytetarëve

Policia Rrugore në Vlorë dhe Sarandë ka ndëshkuar dy drejtues mjetesh me gjoba të larta pas denoncimeve të qytetarëve për shkelje të rënda të rregullave të qarkullimit. Aksionet e policisë vijnë si rezultat i një vëmendjeje të shtuar ndaj sigurisë rrugore, sidomos gjatë sezonit turistik.

Në Vlorë, pas një denoncimi, Policia Rrugore identifikoi një automjet tip “Audi” që kishte kryer parakalim të rrezikshëm në një kthesë me fushëpamje të kufizuar në aksin rrugor Dhërmi–Himarë. Për këtë shkelje të rëndë, drejtuesi i mjetit u dënua me një masë administrative prej 52,000 lekësh.

Në një rast të ngjashëm në Sarandë, një denoncim tjetër çoi në identifikimin e një drejtuesi taksie. Ky i fundit kishte bërë një parakalim të gabuar në aksin rrugor Sarandë–Ksamil, duke hyrë në sensin e kundërt. Si pasojë, drejtuesi u dënua me një gjobë prej 40,000 lekësh.

Policia Rrugore bën apel për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, duke theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për garantimin e sigurisë rrugore për të gjithë, veçanërisht në zonat turistike ku fluksi i automjeteve është i lartë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›