E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohen për krim të organizuar dhe trafikim droge

Nga Express më 04 korrik 2011 në ora 19:00

Një trup gjykues i përzier me gjykatës të EULEX-it dhe atyre kosovarë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë shpalli Xhemë Thaçin fajtor për krim të organizuar dhe trafikim të drogës, dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie dhe 200.000 euro gjobë, ndërsa Abdyl Kukaj është dënuar me 8 vjet burg për krim të organizuar. I akuzuari i tretë Gëzim Iseberi është liruar nga të gjitha akuzat.

Gjatë bastisjes së vendbanimit të Abdyl Kukajt dhe arrestimit të tij, Policia e Kosovës ka konfiskuar 13.000 euro para të gatshme. Gjykata e ka shfrytëzuar legjislacionin aktual për konfiskimin e pasurisë dhe ka urdhëruar konfiskimin e parave të gjetura.

Gjykata vërtetoi se në vitin 2009, Xhemë Thaçi dhe Abdyl Kukaj kanë marrë pjesë në një grup të organizuar për trafikimin e drogës. Xhemë Thaçi i ka organizuar aktivitetet e grupit duke e bashkërenduar transportimin dhe financimin e drogës.

Në një rast ai e ka organizuar blerjen e 109 kilogramëve kanabis dhe e ka trafikuar drogën prej Shqipërisë në Kosovë me qëllim të shitjes në Evropë. Në mesin e aktiviteteve tjera, Abdyl Kukaj i ka caktuar korrierët për transportimin e drogës. Gjatë këtij gjykimi, Gëzim Iseberi është liruar nga të gjitha akuzat.

Ndjekjen penale e ka bërë një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Palët mund të ushtrojnë ankesë ndaj vendimit në afat brenda 15 ditëve.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›