Dënohen për ngjarjet e 21 janarit

Gjykata e Apelit e Shqipërisë ka shqiptuar dënimin për ish gardistët të cilët ishin pjesë e demonstratës së 21 janarit 2011 ku humbën jetën 4 persona.
Apeli ka vendosur që ish kreu i gardës, Ndrea Prendi të dënohet me 1 vit burgim për “vrasje nga pakujdesia”.
Ndërsa për ish gardistin Agim Lupo 3 vjet burgim, gjithashtu edhe ky për “vrasjen nga pakujdesia”.
Sipas trupit gjykues, ish-kreu i gardës vrau nga pakujdesia protestuesin Faik Myrtaj, kurse ish-gardisti Llupo vrau nga pakujdesia, protestuesin Ziver Veizi.
Asnjëri prej 2 të pandehurve nuk ka qenë i pranishëm në sallën e gjyqit.
Ndërkohë, avokatët e të dënuarve e kanë cilësuar këtë vendim si të pabazuar në ligj, duke paralajmëruar se vendimi do të ankimohet në gjykatën Supreme, transmeton Shekulli online.
“Vendimi i Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, por është i pabazuar në ligj. Ne do të ndjekim hapat e ankimit, do të jetë gjykata Supreme që do të thonë përfundimisht fjalën e tyre”, tha avokati i Ndrea Prendit.
“Do të ndjekim hapat e ankimit, do jetë gjykata Supreme dhe shkallët e gjyqësorit që do thonë fjalën e tyre”, shtoi ai.
Më 21 Janar, viti 2011 u vranë gjatë një proteste të së majtës atë kohë në opozitë, protestuesit Hekuran Deda, Aleks Nikaj, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi./Indeksonline/