E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet Kasemi, tmerri i Beratit

15/07/2009  Gjykata i jep 25 vjet burg mikut të Altin Dardhës, Gëzim Kasemit, akuzohet për 3 vrasje

U akuzua e dënua si pjesëmarrës në disa prej masakrave më të rënda në Shqipëri

TIRANË- I ekstraduar në vitin 2007 nga Italia me kërkesë të drejtësisë shqiptare, i rigjykuar sërish nga gjykata, u dënua dje me 25 vjet burg i pandehuri Gëzim Kasemi, një prej pjesëtarëve të bandës së Altin Dardhës. Banda e njohur për bëmat e saj në qytetin e Beratit, ka lënë pas hijen e vrasjeve dhe të krimeve të tmerrshme. Gëzim Kasemi rezultonte të ishte dënuar në vitin 2001 nga gjykata me 23 vjet burg. Ndërkohë që pas ekstradimit ai kërkoi rihetim dhe rigjykim pasi nuk ka qenë i pranishëm dhe nuk ka pas të drejtën e mbrojtjes para gjykatës. Kjo kërkesë u mor parasysh. Pas një hetimi të gjatë gjyqësor të filluar më 5 shkurt të vitit 2008 dhe pas 38 seancave gjyqësore një pjesë e të cilave të pazhvilluara, Gëzim Kasemi mori verdiktin dje nga gjyqtari Gerd Hoxha. Për vrasjen e tre shtetasve Kasemi u dënua me nga 25 vjet burg secili dhe për vrasje të mbetur në tentativë me 16 vjet burg. Në bashkim të dënimeve Kasemi u dënua me 25 vjet burg. Ndërkohë që theksohet se po dje në orën 13.20 minuta gjyqtari Sokol Tona i rrëzoi një kërkesë Gëzim Kasemit për përjashtim të trupit gjykues. Kasemi disa herë kishte bërë kërkesë për përjashtim gjyqtari dhe kjo kërkesë i ishte rrëzuar. Menjëherë pas vendimit të Sokol Tonës ka dhënë vendimin e tij gjyqtari Gerdi Hoxha. Kasemi u dënua pasi është gjetur fajtor të jetë bashkautor me Altin Dardhën, Altin Isufin dhe Agron Balliun, në ekzekutimin e Burhan Tomorrit, Abdyrrahim Tomorrit, Behar Eskiut dhe Kastriot Bejkos, ndërkohë që Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti i shpëtuan vdekjes, por morën disa plumba. Ngjarja që tronditi Beratin ka ndodhur më 25 shkurt 1998, kur kapobanda Dardha bashkë me vlonjatin Isufi, Balliun dhe Kasemin qëlluan për tu hakmarrë për vrasjen e të atit nga viktima Tomorri. Atentati ndodhi pranë stadiumit të qytetit, vetëm pak metra larg nga dera e Drejtorisë së Policisë, në kohën që gjashtë viktimat po pinin kafe në një lokal. Atentatorët u larguan drejt fshatit Uznovë, ku vranë një të moshuar për ti tërhequr vëmendjen policisë. Pas kësaj policia mundi të arrestonte Bilalin dhe Kasemin, ndërsa Dardha dhe Isufaj morën peng një oficer policie dhe u larguan rrugëve të fshatrave të zonës. Isufaj u vra në momentin që i bëri rezistencë policisë, ndërsa Dardha mundi të largohej, por tre ditë më vonë u vra në rrethinat e Janinës nga killeri nga Kuçova Arjan Paja.

Altin Dardha dhe bëmat e tij

Banda famëkeqe e Beratit, vrasje e masakra ngado

TIRANE- Banda e Altin Dardhës mendohet se ka kryer një numër të madh krimesh në qytetin e Beratit. Në emër të këtij personi Ministria e Brendshme nga të dhënat e para dhe të marra në rrugë operative dyshon se Dardha ka qenë vrasës me pagesë dhe rreth vetës ka grumbulluar persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Vet Altin Dardha ka bërë 60 vrasje me pagesë. Ndërkohë që pas vitit 1997 vit kur ka kryer edhe gjashtë vrasje në një lokal në afërsi të stadiumit, Dardha ishte tepër i kërkuar nga kundërshtar të tij. Altin Dardha u arratis nga Shqipëria për në Greqi, në fund të vitit 1997, pasi kishte kryer një numër të madh vrasjesh dhe ndiqej si nga shteti, ashtu edhe nga bandat kundërshtare, që e donin të vdekur. Në të vërtetë, dihet se ai është larguar nga vendi për në shtetin fqinj, pas një atentati, ku mbetën të vdekur disa nga shokët e tij. Dardha mendohet të jetë vrarë dhe më pas të jetë djegur në Janinë në shtator të vitit 1999. Pjesa më e madhe e ngjarjeve për të cilat akuzohej ai, janë cilësuar si të mbyllura me verifikimin e vdekjes së Dardhës. Ministria e Brendshme ka rinisur hetimet edhe për vrasjen e Altin Dardhës. Megjithatë, vrasja e shumë kundërshtarëve dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit e kanë bërë të vështirë hetimin. Aktualisht një pjesë e mirë e ngjarjeve që kanë ndodhur në qytetin e Beratit, janë mbuluar nga pluhuri pasi autorët e tyre janë vrarë. Kjo nuk është vetëm njëra arsye që ato qëndrojnë të mbyllura, pasi edhe mungesa e dëshmitarëve është bërë shkak për mosfillimin e hetimeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›