Dënohet Trepça

Klubi i basketbollit Trepça ua ka parë sherrin tifozëve të vet. Mitrovicasit e kanë pësuar rëndë incidentin që ndodhi në finale të Kupës ndaj Sigal Prishtinës, ku shikuesit gjuajtën me karrige, këpucë, shkrepsa, duke e thyer edhe vetë trofeun e çmuar.
Komisioni i garave i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në mbledhjen e vet të mbajtur të mërkurën, ka vendosur që Trepçën ta dënojë me 6 ndeshje moslojë në palestrën e sporteve “Minatori”, plus një ndeshje pa praninë e shikuesve, gjithashtu jashtë Mitrovicës.
“Në bazë të raporteve të vëzhguesve, prezencës së zyrtarëve të lartë të FBK-së dhe institucioneve të larta shtetërore, në ndeshjet gjysmëfinale dhe finale të Kupës së Kosovës në basketboll, të zhvilluara më datën 02/04.04.2010 në Mitrovicë, Trepça nuk do të ketë të drejtë lojë në palestrën e vet në gjashtë ndeshjet e ardhshme konform nenit 16 dhe 19 të Rregullores Disiplinore të FBK. Po ashtu, Trepça dënohet me një ndeshje pa praninë e shikuesve (ndeshja vijuese)”, shkruan në vendimin e Komisionit të Garave.
Kjo nuk është e tëra, ngase mitrovicasit janë gjobitur edhe me të holla, që përfshijnë shumën 1650 euro, kryesisht për shkak të fyerjeve raciste që ndodhën në të gjitha ndeshjet (400 për ndeshjet gjysmëfinale dhe 800 për atë finale), duke cekur këtu edhe dënimet e drejtorit sportiv Naim Hajrizi dhe basketbollistëve Jure Lozançiq e Fikret Hanxhiq, të tre me nga 150 euro, për fyerje dhe kërcënim ndaj gjyqtarëve të ndeshjes.
“Është një dënim i rëndë boll, sepse nuk ka pasur bazë për dënim aq të madh. Ky ishte vetëm një organizim i Kupës. Ne e kemi blerë tenderin dhe palestra është dënuar pa faj. Ne kemi mundur të ishim nikoqir në Ferizaj apo diku tjetër, e si do të dënohej ajo palestër? Nuk kanë qenë iniciatorë të eksesit vetëm tifozët mitrovicas, por edhe ata prishtinas”, tha ai.
“Ne e kemi kryer punën tonë – organizimin, ndërsa policia është dashur të merret me punët tjera. Ne kemi shprehur keqardhje për sjelljen e disa shikuesve, por ky është një dënim bajagi i rëndë”, ka thënë për Express drejtori sportiv i “xehetarëve”, Naim Hajrizi.
Sipas komisarit të garave të FBK-së, Nazmi Paçarada, për vendin (largësinë) e zhvillimit të ndeshjeve për vijim të kampionatit për KB ”Trepça” si nikoqire, vendos Bordi i FBK-së.
Po ashtu, Sigal Prishtina (për hedhje të mjeteve piroteknike në mesin e shikuesve dhe në fushë, si dhe hedhjeve të gjësendeve të forta nga ana e tyre) është dënuar me 200 euro, kurse basketbollisti i Bashkimit, Muhamet Thaqi, me 50 euro, për reagim josportiv ndaj gjyqtarit.
Të gjitha dënimet e shqiptuara në të holla, me përjashtim të atyre me ndalesë të pranisë së shikuesve dhe me ndalesë moslojë në fushën e vet, konsiderohen si dënime administrative (mandatarë) dhe nuk lejohet parashtrimi i ankesës.