E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largohet Thaçi

Pas mosmarrëveshjeve të fundit, duket se te klubi i basketbollit Bashkimi është rikthyer normaliteti. Udhëheqësit e klubit portokalli kanë arritur ta bindin trajneri Boban Mitev që të rikthehet, pasi kishte dhënë dorëheqje pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Sigal Prishtinës.

Burime të gazetës Express kanë bërë të ditur se trajneri maqedonas pritet të rikthehet së shpejti në Prizren, për t’i vazhduar stërvitjet me prizrenasit pas largimit, derisa pritet ta mbajë edhe një mbledhje me basketbollistët.

Në anën tjetër, kryetari i Bashkimit, Fadil Sahiti, e pranoi se Mitev mund të rikthehet në Bashkim, por tha se ende ka për t’u biseduar për këtë punë. “Trajneri Mitev ka disa obligime familjare, por pritet të vijë nesër në Prizren, ku do të bisedojmë rreth mundësisë së rikthimit të tij”, njoftoi Sahiti.

Ai njoftoi se struktura e klubit prizrenas nuk do të prishet, edhe pse spekulohej se disa basketbollistë të padisiplinuar mund të largoheshin nga Bashkimi. I vetmi që do të largohet është Muhamet Thaçi.

“Thaçi ka ardhur dhe e ka provuar veten, por nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë fizike. Andaj, në play-off ai nuk do të luajë me ne”, konfirmoi Sahiti.

Muajt e fundit atmosfera në klubin prizrenas ishte prishur. Shpeshherë ishin përlarë bashkëlojtarët në mes vete, por kishte prej tyre që i kanë prishur marrëdhëniet edhe me trajnerin.

Kjo kishte bërë që trajneri Mitev t’i njoftonte zyrtarët e klubit për dorëheqjen e tij të premten që shkoi, por duket se ai e ka ndërruar mendjen dhe pritet ta udhëheqë ekipin portokalli në ndeshjet e play-offit kundër Trepçës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›