E Diel, 1 Nëntor 2026

Denohet me 13 vjet burg për vrasje, ish-efektivi i BRISKUT

Autori i Lajmit: red.
Dënohet me 13 vjet burg ish-polici i forcave speciale të BRISKUT, Arjan Avdo. Burime nga Gjykata e Tiranës bënë të ditur se togat e zeza dënuan me burg të akuzuarin për vrasje. Sipas të njëjtave burime, mësohet se ish-polici u dënua për vrasjen e një personi të quajtur Dorian Vuçiterna. Ngjarja për të cilën akuzohet Avdo ka ndodhur në vitin 2007 në hyrjen kryesore të repartit të ndërhyrjes së shpejtë “BRISKU”, në Tiranë. I pandehuri ka qëlluar me pistoletë viktimën Vuçiterna, i cili dyshohet se kishte lidhje me të motrën e tij, si dhe i kishte kërkuar asaj divorcin nga bashkëshorti. Mospranimi nga bashkëshorti ka bërë që motra e Avdos t i kërkojë ndihmë atij, ndërsa bashkëshorti për të zgjidhur situatën e krijuar nuk shkon vetë, por dërgon të dashurin e gruas. Pas një përleshjeje, ish-oficeri i Briskut qëllon mbi viktimën duke i shkaktuar atij vdekjen. Dy seanca më pare, prokuroria kërkoi 18 vjet heqje lirie për të pandehurin, ndërkohë që gjykata vendosi për të 5 vite më pak burg.

Ky lajm është publikuar: 07/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›