E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma në polici, marrin gradën “Inspektor” 105 punonjës

Autori i Lajmit: red.
Emërohen 105 punonjës policie me gradën “Inspektor” në radhët e uniformave blu të kryeqytetit. Inspektorët e policisë kanë marrë gradën dje, gjatë një ceremonie ku merrnin pjesë krerët më të lartë të policisë në vend dhe përfaqësues të misionit "ICITAP" dhe "PAMECA 3". Përveç ngritjes në grade, 105 efektivat do të përfitojnë dhe rritjen e pagës sipas ligjit për gradat, mbi të cilin aplikohen pagat në hirarkinë e Policisë së Shtetit.
Emërimi
Marrin gradën “Inspektor” 105 punonjës të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut merrnin pjesë zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, si dhe përfaqësues të misionit "ICITAP" dhe "PAMECA 3". "Ju nuk jeni vetëm vitrina e Policisë së Shtetit, por jeni imazhi i shtetit shqiptar, kudo ku ndodheni", - u shpreh zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, gjatë kësaj ceremonie. Ai vlerësoi bashkëpunimin me partnerët e huaj, "pa ndihmën dhe asistencën e të cilëve do të ishte i pamundur realizimi i një projekti kaq të rëndësishëm për përgatitjen e një brezi të ri në Policinë e Shtetit".
Prençi
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, duke iu drejtuar punonjësve të policisë që morën gradën "Inspektor", tha se "si punonjës policie me kompetenca të plota policore, do t u duhet të ballafaqoheni me sfida të reja dhe më të vështira, por jo të panjohura tashmë për ju, e aq më pak të pakapërcyeshme". Drejtori i Policisë së Qarkut, Tonin Voci, vlerësoi punën e gjatë dhe voluminoze të këtyre punonjësve të sapoemëruar, dhe shprehu bindjen se tashmë ekzistojnë të gjitha dijet dhe aftësitë e nevojshme për të zhvilluar më tej shërbimin e ri të patrullës së përgjithshme. Duke siguruar mbështetjen e stafit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës në realizimin me sukses të veprimtarisë së Patrullës së Përgjithshme, ai tha se "tashmë ky mision ka fituar qytetarinë dhe ndihmën e qytetarëve të Tiranës në përmbushjen e tij, për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike".
Ky lajm është publikuar: 07/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›