E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denohet me 18 muaj burg Sheshel zbuloi deshmitaret

Vojisllav Sheshel, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës në ish-Jugosllavi, u dënua për shpërfillje të gjykatës me 18 muaj burg. Në një nga librat e tij ai ka  zbuluar identitetin e njëmbëdhjetë dëshmitarëve të mbrojtur që gëzojnë dhe mbrojtjen e gjykatës për krime lufte. Në fakt dënimi i  dhënë nga  gjykata në Hagë është cilësuar si i pakuptimtë nga politikani nacionalist serb, i cili ka qenë i burgosur që në vitin 2003, i akuzuar për mobilizimin e grupeve paramilitare serbe, përgjegjëse për vepra barbare ndaj popullsisë joserbe.

Sipas vlerësimit të gjykatës, veprimet e Sheshelit mund të dekurajojnë dëshmitarët në dhënien e dëshmive duke e shkelur “besimin e tyre në aftësinë e gjykatës për t’u garantuar efikasitetin e masave mbrojtëse”. Sheshel është akuzuar për spastrim etnik dhe mizori të tjera në Bosnjë, Kroaci dhe Serbi ndërmjet viteve 1991 dhe 1994.

Ai u dorëzua tetë vjet më parë për t'u përballur me akuzat në Gjykatën e Hagës.  Në uebsaitin e tij në internet, Sheshel ka publikuar tre libra ku dhe ka zbuluar informacione konfidenciale për njëmbëdhjetë dëshmitarët e mbrojtur që dëshmuan në seancat gjyqësore në ngarkim të tij. Kjo është hera e tretë se Sheshel është akuzuar për shpërfillje. Akuzat e mëparshme kanë të bëjnë të bëjnë me dy nga tre librat e tij.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›