Eshton shpreson në forcimin e raporteve me Japoninë

Përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, do të vizitojë për tre ditët e ardhshme Japonin, njoftoi zyra për informim e Komisionit Evropian.
Qëllimi i kësaj vizite thuhet se është thellimi i bashkëpunimit në sferën ekonomike, politike dhe të sigurisë.
Gjatë vizitës në Tokio, ajo pritet të takojë ministrin e jashtëm të këtij vendi, Koiçiro Gemba, ndërsa do të ketë edhe disa aktivitete të tjera.
Para vizitës, Eshton, ndër të tjera, u shpreh:
“Të dyja palët kanë rënë dakort për të punuar paralelisht drejt negociatave për një Marrëveshje për Tregti të Lirë dhe një Marrëveshje Kornizë që mbulon çështjet politike, globale dhe sektoriale”.
Mësohet se gjatë qëndrimit në shtetin japonez, shefja e diplomacisë evropiane do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të Shtëpisë së BE-së në këtë vend, ndërtesën e shërbimit të jashtëm të BE-së në Japoni.