E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënohet profesori mashtrues, i merrte para studentit ti kalonte provimet

para—-Nga Arisa Liço—-

Tiranë- Gjykata e Tiranës ka dënuar me një vit burg shefin e Departamentit në Fakultetin e Gjeologji Minierës në Tiranë, E.Qoku pasi në këmbim të rryshfetit premtonte marrjen e notës kaluese në provime duke ndikuar tek pedagogët. Në një histori të paprecedentë, një pedagog me titull profesor, ishte përfshirë në një mashtrim të gjatë ndaj një studenti, duke i premtuar atij marrjen e provimeve edhe pse studionte në një universitet tjetër.

Studenti A.Kapinova ka denoncuar më 16 prill të vitit të kaluar Qokun pasi prej majit 2012 deri në dhjetor 2012, 57-vjeçari Qoku i ka kërkuar dhe marrë studentit shumën prej 75.000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë. Ata janë nohur rreth muajve prill-maj 2012 përmes një të njohuri të përbashkët.

Këto para Qoku ia ka kërkuar studentit duke i premtuar se ai vetë, përmes njohjeve dhe reputacionit që gëzonte si shef departamenti në Fakultetin e Gjeologji Minierës në Tiranë, dhe nëpërmjet personave të tjerë, do të ndërhynte tek pedagogët e Universitetit Bujqësor Kamëz, ku vazhdonte studimet Kapinova, në mënyrë që ai të merrte disa provime në të cilat ai më parë kishte ngelur.

Por më datë 15.12.2012, duke qenë se shefi i departamentit nuk kishte arritur të siguronte marrjen e asnjë provimi të studentit, i ka thënë atij se do tia kthente të gjitha lekët që i kishte marrë, shumën prej 75.000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekësh, jo të gjitha njëherësh por me pjesë, dhe i ka kthyer atij shumën prej 10.000 (dhjetëmijë lekësh) po në këtë datë, duke i thënë se pjesën tjetër do tia jepte brenda muajit. Në këtë moment i pandehuri Qoku është arrestuar në flagrancë nga oficerët e policisë gjyqësore.

Nga transkriptet e përgjimeve ambjentale dëgjohen: (E=shefi i departamentit, K=student)

…E-Jo, jo. Atëherë unë pata një mundësi që mund të të ndihmoja, dhe…kaq. Ai, shifrën ma tha ai, sta thashë unë! Ti e mban mend, ai e tha në sy tënd.

K-Po pra…

E- (i bie zilja e telefonit dhe flet me një person: E me profesor çkemi?…flet personi tjetër…Pse je pa qef e…?…flet personi tjetër…E-i thotë: po mirë atëherë mbyllu në shtëpi! Pastaj e pyet: Dëgjo, atje tek veterinaria njofim njeri ne? Ë? Kam një djalin e mikut tim, është në vitin e tretë dhe duhet të marri diplomën. Tani jo po…ktë vit! Një sekondë të mbaroj…prit, kaq frikë ke? Prit të flas unë, e mbaj unë përgjegjësinë. Unë jam shef departamenti, ti sje. Po ka nja katër provime ai që duhet ti japi këtë vit, viti i tretë…

…E-dëgjo mua, dëgjo tani. Nëse do ta mbarosh këtë muhabet do të bish një dhuratë të vogël nesër. Unë do të bisedoj, po me këtë ëmbëlsirë, do të çoj gruan time dhe…

K-dëgjo tashi, ti mos bëj asnjë muhabet tjetër. Ti thuaj është miku im, më kupton, me atë. Ne bashkë flasim, më kupton…

E-jo, jo, një gjë e duan ata, ndryshe nuk kalon.

…K-tani më thuaj mua ti…si do ja bëjë ai, më thuaj, më ndihmon mua me të gjitha ai?

E-me të gjitha, të gjitha, jepi ca tani dhe…

K-tha gjë ai?

E-tha si stha?

K-sa??

E-nuk tha shifër, po nuk do bësh llaf se unë…

…E-hajde nesër ose mbasdite, bjer diçka, tia jap atij, dhe në rast se nuk bëhet, brenda prillit kthehen.

K-po unë kam prap provime, po su bën ato, un ti jap kupton, po, më vonë prap kupton?

E-jo, jo, i duan në vend tani

Kështu gjykata vendosi dënimin me 1 vit burg për 57-vjeçarin akuzuar për Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›