E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënojnë fuqishëm aktin e vjedhjeve

Nga Express më 25 gusht 2011 në ora 22:29

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomiq, të enjten kanë vizituar fshatin Bablak të Ferizajt, një ditë pas vjedhjes së tetë shtëpive të serbëve të kthyer në këtë fshat.

Zyrtarët gjatë bisedës me banorët kanë thënë se ky rast nuk duhet të dekurajojë personat që dëshirojnë të kthehen dhe të jetojnë në vendbanime të tyre.

Voisllav Petroviq, serb nga fshati Bablak i ka njoftuar zyrtarët me vjedhjet e bëra.

”Janë marrë gjësendet nga to duke filluar që nga guacat e tualetit e deri te shtretërit”, ka thënë Petroviq, për të shtuar se këto vjedhje kanë shtuar edhe pasigurinë e të jetuarit në Bablak.

Petroviq i ka kërkuar kryetarit Xhemajli që të rirregullojë ndriçimin publik, pasi tha se poçet elektrike ka kohë që nuk janë funksional dhe kjo po krijon rrethana më të lehta për hajnat.

Nga ana tjetër numri një i qeverisë lokale të Ferizajt, Bajrush Xhemajli, është shprehur Ferizaj është njëri ndër qytetet më të qeta në Kosovë.

“Ferizaj është qytet i qetë. Ne nuk do të lejojmë që hajnat të krijojnë pasqyrë të keqe. Hajnat nuk kanë përkatësi nacionale, andaj ju duhet të vazhdoni të banoni këtu, por edhe të tjerët duhet të kthehen nëpër shtëpitë e tyre”,ka thënë Xhemajli gjatë bashkëbisedimit me serbët e Bablakut.

Ndërsa ministri Tomiq inkurajoi serbët lokal që të kthehen dhe të banojnë në shtëpitë e tyre.

“Ne të gjithë u pajtuam që këto akte janë vepra të kriminelëve dhe hajnave dhe ata do të kapen”, tha ministri Tomiq, i cili shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, për të vazhduar me procesin e kthimit dhe në krijimin e një atmosfere të qetë të sigurisë.
Por, qytetari nga ky fshat Rexhep Nuha, ankohej se disa prej serbëve u kanë nxjerr faqen e zezë, pasi ka parë njërin prej tyre të ngarkonte aparatet dhe të largohej.

“Po na bie ne që po i vjedhim, ndërsa kjo nuk është e vërtetë. Unë kam parë njërin prej serbëve që ka ngarkuar gjërat dhe ka ikur, ndërsa tash na del se hajnat u kanë vjedhur shtëpitë. Nuk ka kuptim, sepse ne si fshat po fyheni rëndë”, ka thënë Nuha.

Kurse Qazim Reka, komandant i stacionit policor, pohoi se tash për tash nuk ka të dyshuar por se hetimet janë duke u zhvilluar.

“Nuk është mirë të paragjykojmë kush janë hajnat, unë besoj se ashtu siç kemi arrite t’i kapim hajnat e tjerë dhe i kemi dënuar, do t’i kapin edhe këta të fundit”, ka thënë toger Reka, duke treguar përvojat në kapjen e keqbërësve që kanë thyer shtëpitë e serbëve në Babush, një fshat tjetër i banuar me serbë të kthyer.

Ai ka thënë se Policia e Kosovës do të shpeshtoj patrullimet në këtë zonë, por nuk do të mund të vendos në secilën shtëpi të serbëve nga një polic.

Për serbët e kthyer me mjete të Qeverisë së vendit dhe donatorëve janë ndërtuar 52 shtëpi, shumica e të cilave janë të boshatisura. Zyrtarët thonë se nuk dihet me saktësi se kur mund të ketë ndodhë vjedhja, meqë janë vjedhur nga tetë, dy të banuara, por që banorët nuk kanë qenë prezent, ndërsa tjerat janë gjetur me dyer të hapura dhe është e pamundur të vërtetohet se çka në fakt është vjedhur./kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›