Luan me njohje
Behgjet Pacolli ka deklaruar se shtetet anëtare të CARICOM’it do ta njohin Kosovën veç e veç. Javën e kaluar njerëzit e Pacollit kishin deklaruar se janë duke pritur njohjet nga kjo organizatë.
“Nuk ekziston më vendimi i organizatës së CARICOM’it që organizata vendos për njohjen e Kosovës, por shtetet e kësaj ane do të vendosin veç e veç. Kemi një mik shumë të madh atje, i cili është duke punuar. Ky njeri do të vizitojë Kosovën më 2 shtator, do të jetë presidenti i Hondurasit në Kosovë”, ka thënë Zëvendëskryeministri .
Pacolli të enjten ka raportuar në Qeverinë e Kosovës për lobimin e tij disa ditësh në Afrikë, nga ku kohëve të fundit kanë ardhur 3 njohje.
Derisa njohja më e fundit nga Santa Lucia, një shtet anëtar i CARICOM’it, kanë rikthyer konkurrencën mes Pacollit dhe Ministrisë së Jashtme, e cila është ngutur për të shpallë këtë njohje duke thënë se ajo ka ardhur si meritë e lobimit të Ministrit Hoxhaj.
Bashkëpunëtorët e Pacollit kanë pohuar të kundërtën.
Zyra e Pacollit të enjten ka bërë të ditur se një shtet tjetër i CARICOM’it pritet ta njohë Kosovën, siç kanë thënë ata, të enjten.
Por, kjo nuk ka ndodhur dje deri në orët e mbrëmjes.
Pacolli ndërkaq, në mbledhjen e Qeverisë ka paralajmëruar disa njohje nga kontinenti afrikan.
Ai ka thënë se vendi pritet të njihet “sot ose nesër nga” Gaboni, derisa ka paralajmëruar se një gjë të tillë do ta bëjë Nigeria gjatë javës së ardhshme.
Pacolli ka thënë se Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan, i ka premtuar njohjen.
“Pas një takimi, shumë të këndshëm dhe shumë të gjatë dhe duhet të informoj se dje Presidenti i Nigerisë e ka lëshuar një notë që iu është drejtuar një ministri të tij që formalizon njohjen e Kosovës nga Republika e Nigerisë. Kjo do të ndodhë në javën e ardhshme”, ka thënë Pacolli.
Përveç Nigerisë, sipas tij, njohjet për Kosovën pritet të vijnë edhe nga Mali dhe Togo, vende tjera afrikane
Pacolli ndërkaq ka bërë të ditur se Tunizia nuk e ka në plan njohjen e Kosovës.
Ndryshe, në një paraqitje televizive po ashtu të enjten Pacolli ka thënë se njohjet e fundit të vendit janë meritë ekskluzive e tij.
Ai ka paralajmëruar se sërish do të kthehet në Afrikë për lobim duke thënë se njohjet nga ky kontinent do të shtohen.
Pacolli madje ka thënë se së shpejti Afrika do të jetë kontinenti i dytë pas Europës me të cilin Kosova do të bashkëpunojë më së shumti.