Vendimi brenda javës
Fatmir Limaj, ish-komandanti i UÇK-së dhe deputet i Kuvendit të Kosovës, të enjten është dukur më i qetë se një ditë më herët. Në seancën statusore për konfirmim të aktakuzës ndaj tij dhe nëntë bashkëluftëtarëve, Limaj nuk e foli asnjë fjalë.
Krejt çka kishte t’ i thotë i tha të mërkurën kur u përplas fort me prokurorin italian Mauricio Salustro. Seanca e së enjtes, e cila zgjati që nga mëngjesi deri në mbrëmje, u karakterizua me përplasje ndërmjet avokatëve të të akuzuarve dhe prokurorit të çështjes, Salustro. Të gjithë avokatët mbrojtës kanë kërkuar nga gjyqtari për konfirmim të aktakuzës që ta hedhë poshtë aktakuzën për arsye se nuk ka prova për këtë përveç dëshmisë së dëshmitarit X.
Por, prokurori Salustro këmbëngul në atë se dëshmitari X është mjaft i besueshëm sepse në dëshminë e tij, ai pranon edhe veprat e tij. Dëshmitari X që është shpallur dëshmitar bashkëpunues, akuzon dhjetë ish-pjesëtarët e UCK-së, përfshirë edhe deputetin Limaj se gjatë luftës kanë kryer të paktën gjashtë ekzekutime të oficerëve dhe ushtarakëve serbë si dhe të civilëve shqiptarë.
Avokati mbrojtës i Arben Krasniqit, Fehmije Gashi-Bytyqi në fjalën mbrojtëse të saj ka deklaruar se klienti i saj në periudhën që akuzohet, ka qenë i plagosur në fyt, këmbë dhe kraharor dhe, sipas saj, rrjedhimisht derisa ai ishte duke luftuar me vdekjen, nuk ka pasur asnjë mundësi që t’i kryejë veprat për të cilat akuzohet. Gashi-Bytyqi tha se aktakuza duhet të hidhet si e papranueshme pasi që bazohet vetëm në dëshminë e një dëshmitari dhe nuk ka asnjë provë të vetme. Edhe mbrojtësi i të pandehurit Naser Krasniqi e hodhi në dyshim besueshmërinë e dëshmitarit X pasi që, sipas tij, në kohën kur e ka dhënë dëshminë e tij, ka qenë i pandehur edhe vetë dhe ka të drejtë edhe të gënjejë.
Ndërkaq Mahmut Halimi, avokat i të pandehurit Nexhmi Krasniqi, tha se kjo aktakuzë është obstruksion i Prokurorisë Speciale kur është fjala për ish-pjesëtarë të UCK-së. Këto veprime të Prokurorisë, sipas tij, dëmtojnë imazhin e organeve të drejtësisë te popullata. Akuzat për krime lufte të popullatës civile dhe krime lufte të të burgosurve të luftës Halimi i ndërlidhi edhe me një proces tjetër, për të cilën prokuror ishte pikërisht italiani Salustro. Sipas tij, gabimi sikurse në rastin e Sabit Gecit, i cili u dënua me 15 vjet burg për akuzat e njëjta, nuk guxon të ndodhë për shkak se aktvendimi në rastin e Gecit e inkurajon Salustron të ngrejë aktakuza të tilla.
Ramiz Krasniqi, avokat i të pandehurit Behlul Limaj, ka elaboruar gjithë atë që ka ndodhur gjatë luftës. Ai ka folur për masakrat, krimet e serbëve si dhe depërtimet e njerëzve nga shtëpitë e tyre. Këtë fakt ai e tha me qëllim që ta hedhë poshtë pretendimin e aktakuzës se të burgosurit janë mbajtur në mënyrë çnjerëzore. “Të burgosurit madje janë trajtuar në kushte më të mira sesa popullata civile në ato anë. Ata(civilët) kanë fjetur në qiell të hapur, kanë lindur fëmijët nëpër male, pa mjekë, pa asgjë tjetër”, tha Krasniqi.
Edhe Bajram Tmava, avokat i Naser Shalës, kërkoi që aktakuza të mos konfirmohet pasi që bazohet vetëm në dëshminë e një deklarate, e cila nuk ka asnjë dëshmi të vetme. Ky avokat kërkoi që të shihen rezultatet e autopsive të serbëve të vrarë në Kleçkë e që janë zhvarrosur më pas. Për këtë prokurori siguroi se do t’i ketë dosjet. Tmava u lut që ato të mos jenë me urdhër të gjyqtarëve nga Beogradi. Prokurori i tha se “nuk ma ndien mua për Beogradin”.
Argumentet e tyre për moskonfirmim të aktakuzës i paraqitën edhe Haxhi Millaku, avokat i Refki Mazrekut, Mexhit Syla i Sabit Shalës si dhe Destan Rukiqi dhe Fazli Balaj, avokatë të Shaban Shalës, respektivisht të Besim Shurdhajt. Mbrojtësit e Limajt, Tomë Gashi dhe Klaus Kremer si dhe vetë Limaj nuk kanë pasur çka të thonë pasi që krejt çka kanë pasur e kanë thënë të mërkurën. Edhe të enjten gjykatorja ishte e mbushur përplot dhe salla nuk i plotësonte as për së afërmi kushtet për punë.
Pasi janë dëgjuar të gjitha dëshmitë, gjykatësi tha se do ta sjellë vendimin brenda afateve kohore. Megjithëse nuk ka caktuar ndonjë datë se kur mund të ndodhë kjo, Tomë Gashi, avokat i Limajt, pret që vendimi të merret brenda javës. Gashi është optimist se vendimi do të jetë në favor të t’ pandehurve. Fatmir Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarët e UÇK-së akuzohen për krime lufte gjatë luftës në fshatin Kleçkë.