Jo xhami mbi çerdhe
Hapësira përballë Institutit Albanologjik në Prishtinë, gjegjësisht te çerdhja “Gëzimi Ynë”, duket se do të mbetet vetëm një dëshirë e madhe për Naim Tërnaven, kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës dhe xhematin mysliman, si lokacioni ideal për ndërtimin e një xhamie të madhe dhe një qendre islame. Këtë ia kanë konfirmuar Gazetës Express zyrtarë të lartë të Komunës së Prishtinës.
Edhe pse të mërkurën Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, është shfaqur i prerë duke i bërë me dije Komunës se përveç vendit afër Institutit Albanologjik, çdo propozim tjetër për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e kësaj qendre do të ishte i gabuar, kjo duket se ka fare pak gjasa të ndodhë.
Tërnava i ka thënë televizionit Klan Kosova se vendi ideal për ndërtimin e xhamisë është “Ulpiana”, aty ku gjendet aktualisht çerdhja e fëmijëve “Gëzimi Ynë”.
“Për ndërtimin e xhamisë apo Qendrës Islame duhet hapësirë e madhe dhe ky vend do të ishte ideal, jo ndonjë tjetër”, është shprehur Tërnava.
Por kjo deklaratë e Kryetarit të Bashkësisë Islame duket se ka irrituar zyrtarët e lartë të Komunës së Prishtinës, të cilët thonë se qëndrimi i kreut të besimtarëve islamë në Kosovë, ka qenë shumë i ngutshëm.
“Në kohën kur punët vazhdojnë e pritet që Komuna të dalë me një propozim-vendim për vendin e xhamisë, z. Tërnava po ngutet me deklarimet e tij”, tha një zyrtar komunal për Express.
Megjithëkëtë, zyrtari që mban post në njërën prej drejtorive shumë të rëndësishme të Komunës së Prishtinës, nuk ka treguar lokacionin të cilin pritet që organet kompetente të propozojnë për ndërtimin e xhamisë.
Por kjo enigmë pritet të zgjidhet shpejt.
“Komuna ka mundësi që të dalë të premten me propozim-vendim për vendin ku mund të ndërtohet xhamia, por gjasat më të mëdha janë që një gjë e tillë të ndodh të hënën, pikërisht ditën e fundit të muajit Ramazan”, tha zyrtari për Express. Sipas tij, Komuna ka punuar vazhdimisht për ndarjen e lokacionit për xhaminë e re.
“Kryetari Isa Mustafa ka pasur disa herë takime me kryetarin e BIK`ut për këtë. Ne do të dalim me vendim gjatë muajit të Ramazanit, sepse sikur me një vendim të tillë të dilnim pas Ramazanit, nuk do të kishte kuptim”, ka thënë ai.
Express është përpjekur të kontaktojë edhe zyrtarë e tjerë të Komunës për t’i konfirmuar edhe më këto pohime, por ata që janë të ngarkuar të flasin për media janë në pushime.
Ndërkohë, Myftiu i Kosovës ka pranuar se plani është që të ndërtohet vërtet një xhami e madhe, e cila do të kushtojë shumë. Sipas tij, duhen 10-15 milionë euro, të cilat do të sigurohen nga besimtarët myslimanë në Kosovë.
“10 deri në 15 milion mund të kushtojë ndërtimi i saj, po ashtu duhen disa hektarë tokë”, ka thënë Tërnava. Ndarja e vendit për ndërtimin e xhamisë bëhet pas kërkesave të vazhdueshme të BIK’ut në drejtim të organeve komunale, kurse kohëve të fundit presioni u shtua edhe nëpërmjet organizimeve të protestave në rrugë nga ana e OJQ’ve me frymë islame.