E Martë, 3 Nëntor 2026

Denoncimi, Albana Vokshi nxjerr e-mailet: Albana Fico trajtoi fëmijët e sëmurë në QSUT me ilaçe të skaduara

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi në një konferencë për mediat ka bërë publike emailet të ish-drejtoreshës së QSUT-së Albana Fico që urdhëronte drejtorin e IT, Rigers Haxhirajn që të ndryshonte datat e skadencës së ilaçeve me qëllim që të trajtoheshin fëmijët e sëmurë.

“Albana Fico, nëpërmjet një Memoje Nr. 126/65 datë 29.12.2023 i ka dhënë direktiva të titullarit të institucionit që kjo sasi e mbetur e barit FEIBA të kalonte në shërbimin Onkohematologji pediatrike.  Në deklaratën e fundi që kam bërë nga kjo foltore, mes denoncimeve të tjera, kam bërë edhe një denoncim në lidhje me ndërhyrjen në sistemin e farmacive on line të QSUT, për të fshirë përkohësisht datën e skadencës të një medikamenti”, u shpreh Vokshi.

Sipas Vokshit, bëhet fjalë për një sasi prej 1137 flakon të medikamentit FEIBA që përdoret për pacientë me hemofili.

“Kjo sasi e këtij medikamenti ka pasur datën e skadencës 31 dhjetor 2023. Në vlerë totale sasia e mbetur e skaduar e medikamentit FEIBA është rreth 1.35 mln EURO. Skandali qëndron në faktin që me urdhër të ish drejtoreshës së QSUT Albana Fico, nëpërmjet një Memoje Nr. 126/65 datë 29.12.2023 janë dhënë direktiva të titullarit të institucionit Albana Fico që kjo sasi e mbetur e barit FEIBA të kalonte në shërbimin Onkohematologji pediatrike”, nënvizoi Vokshi.

Vokshi ka shtuar më tej se drejtori i IT në QSUT fshinte datën e skadencës së ilaçeve dhe se ky fakt është mohuar sipas saj, vazhdimisht nga përfaqësuesit e mazhorancës.

“Kur unë e ngrita si shqetësim në dëgjesën që organizuam në Komisionin e shëndetësisë për skandalin te onkologjiku, Ministrja e shëndetësisë Koçiu, Drejtoresha e QSUT dhe Farmacisë Qendrore të QSUT e mohuan faktin ndërkohë që deputetët e PS u vunë përsëri në krah të skandalit në vend që të viheshin në krah të pacientit dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të tyre. Në monitor kam shkëmbimin e emaileve mes ish drejtoreshës së QSUT Albana Ficos; Mirela Rexhepi, drejtoreshë e Farmacisë Qendrore; Eneida Balla, zv/drejtoreshë e farmacisë, Drejtorit të IT Rigers Haxhiraj, dhe Anisa Serjani”, tha Vokshi, ndërsa pyetjet e shtruara edhe më parë: “Çfarë e shtyu Albana Fico, ish drejtoreshë e QSUT, që të kërkojë ndërhyrjen në sistem? Pse u kërkua më insistim, që të hiqet data e skadencës, pra manipulimi I sistemit e të bëhej kalimi në farmacinë e pediatrisë? Kur sistemi, që është shumë i mirë nuk e lejon?”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›