Denoncimi: Fqinji po më varros familjen të gjallë!
TIRANE- Një familje me 5 pjesëtarë rrezikon të zihet poshtë nga banesa nga dita në ditë, për shkak se fqinji pak më poshtë tij vazhdon të gërmojë pafundësisht kodrën ku ndodhen banesat e tyre. Murat Brahimllari ka denoncuar në Komisariatin numër 6 të Policisë së Tiranës për hallin e tij, por duket se as policia dhe as Komuna e Kasharit në territorin e së cilës janë shtëpitë, nuk ia kanë ngenë Brahimllarit në këtë periudhë fushate elektorale. Në fakt, policia ka regjistruar procedimin penal, por pretendimi i fqinjit të Brahimllarit se do ndërtonte një mur mbajtës për kodrën që gërmohet, ndikoi për të mos e çuar çështjen në prokurori. Pavarësisht premtimit se deri atëherë nuk do vijonin gërmimet, një “skrep” vazhdon të gërmojë pambarimisht kodrën. Ndërsa Brahimllari shikon çdo ditë nga një fije të re të çarjes në muret mbajtëse të shtëpisë së tij dhe i duhet të flejë çdo natë vigjilent, i gatshëm të dalë fill nga krevati përjashta nëse ndien se po i bie çatia. Brahimllari shprehet se nuk ka se ku të drejtohet për ta ndalur fqinjin të vazhdojë të gërmojë gropën, që nga dita në ditë mund të varrosë familjen e tij.
(d.b/BalkanWeb)