E Hënë, 2 Nëntor 2026

Denoncimi i PD për materialet zgjedhore në një biznes në Peqin, Policia sekuestron 10 fletë votimi të falsifikuara

Pas denoncimit të Partisë Demokratike se në fshatin Pekisht, në Elbasan, kishin zbuluar materiale zgjedhore në ambientet e një lokali në pronësi të kryeplakut të fshatit, i cili sipas kryedemokratit njihej si vëzhgues i Partisë Socialiste, Policia e Peqinit ka verifikuar rastin duke proceduar penalisht pronarin e biznesit.

Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit kanë gjetur dhe sekuestruar në lokalin e një personi 10 fletë të ngjashme me fletët e votimit, të paplotësuara, të dyshuara të falsifikuara, si dhe një listë emërore e zgjedhësve.

Më tej, gjatë kontrollit në banesën e këtij personi, janë gjetur një pushkë e vjetër trofe dhe një pistoletë zhurmuese (sportive).

“Në vijim të veprimeve për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. B., për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore”, thuhet në njoftim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›