Rezervimet për verën në Sarandë pritet të rriten, në maj janë kryesisht qëndrimet dyditore

Në strukturat akomoduese të bregdetit të Sarandës prej muajsh kanë nisur prenotimet, por sipas administratorëve të hoteleve, rezervimet janë pak të ulëta për shkak se është fillimi i sezonit.
Ndërkohë, pritet të ketë rritje në muajt në vijim për shkak edhe të rritjes së cilësisë së shërbimit.
“Shqipëria nuk është akoma në ato renditjet e larta, siç janë shtete të tjera turistike. Jemi në pritje, sepse prenotime ka. Përgjatë beharit presim një rritje më të madhe se vitet e tjera, për shkak se edhe ne e kemi rritur shërbimin si qytet dhe si shtet. Kemi rregulluar thuajse të gjitha ngecjet që kemi pasur,” tregon administratori Marino Panxi.
Rritje të kërkesave për rezervime do të ketë më tepër pas muajt maj, ku nga prenotimet dominojnë më tepër polakë, italianë, francezë e nga shumë vende të tjera, të cilët qëndrojnë rreth dy ditë.
“Deri tani është një statistikë shumë e mirë për mendimin tim. Do të ketë edhe më shumë gjatë ditëve që vijnë. Tani ka dalë planifikimi që të gjithë po e ndjekin, duke ndenjur secili një, dy apo tri ditë maksimumi në qytete të ndryshme të rivierës sonë, pra, Vlorë, Borsh, Himarë, Dhërmi, Sarandë,” thotë z. Panxi.
Saranda e mrekullueshme, e cila ndodhet në gjirin e detit Jon, ngelet një ndër qytetet më mikpritëse të turistëve të huaj.
Gazetare: L. Fili
/rtsh.al/