Shëngjin – Aksion i madh pastrimi nga Bashkia dhe institucionet për largimin e mbeturinave

Në kuadër të përgatitjeve për sezonin turistik, në Shëngjin u ndërmor një aksion i gjerë pastrimi përgjatë vijës bregdetare nga Rana Hedhun deri në Kune.
Që në orët e para të mëngjesit të së premtes, administrata e Bashkisë Lezhë, e shoqëruar nga kryetari, Pjerin Ndreu bashkë me institucione të tjera zbarkuan në terren, duke kaluar në sitë të gjithë zonën turistike.
Gjatë kësaj ndërhyrje janë larguar sasi të konsiderueshme mbeturinash të sjella nga deti dhe hedhur nga vetë vizitorët, të cilat ishin grumbulluar në disa zona të plazhit.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu ju bëri thirrje pushuesve që të mos krijojnë ndotje të mjedisit në zonat ku qëndrojnë.
“Ne po bëjmë punën tonë, ndërsa ju bëj thirrje të gjithë pushuesve që mbeturinat t’i hedhin në koshin e mbeturinave. Kjo thirrje vjen si ndërgjegjësim qytetar. Ne do bëjmë punën tonë, ndërsa absolutisht pastërtia në Shëngjin do të jetë në nivele të duhura”, tha kryebashkiaku i Lezhës.
Ky aksion pastrimi në Shëngjin i paraprin çeljes zyrtare të sezonit turistik, që do të bëhet këtë fundjave, ndërsa fokusi kryesor do të jetë te shërbimet dhe pastërtia në bregdet.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/