Denoncimi nga “Bashkë Fitojmë”, Celibashi urdhëron policinë të heq reklamën elektorale të PS në aksin Elbasan- Librazhd

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve në seancë publike shqyrtoi administrativisht të martën denoncimin nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë” mbi afishimin e materialit propagandistik të subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë”, për Bashkinë Elbasan.
Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri urdhëroi Policinë e Shtetit dhe Policinë Bashkiake Elbasan për heqjen e menjëherëshme të materialit propagandistik të subjektit zgjedhor “Partia Socialiste e Shqipërisë” në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd.
Në këtë seancë, u shpall edhe vendimi mbi denoncimin e Ivi Kasos, ndaj Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”, Berat.
Komisioneri vendosi t’i propozojë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) marrjen e masës administrative ndaj drejtorit të Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”, gjobë në vlerën 5 000 lekë.
Komisioneri vendosi t’i propozojë KAS marrjen e masës administrative, gjobë në vlerën 10 000 lekë për kryetarët e bashkive Elbasan, Cërrik, Kamëz, si edhe vendosi pushimin e hetimit administrativ për kryetarët e bashkive Poliçan dhe Tropojë, pasi nuk u konstatua shkelje administrative.
Gjithashtu, Komisioneri vendosi t’i propozojë KAS marrjen e masës administrative, gjobë në vlerën 5 000 lekë për personin përgjegjës për raportimin e veprimtarive publike në bashkitë Cërrik dhe Devoll.
Ndërkohë, vendosi pushimin e hetimit administrativ për personat përgjegjës në bashkitë Krujë, Lezhë, Fier dhe Agjencinë Kombëtare të Pyjeve.
/rtsh.al/