Kavajë, Rama: “Non- grata” duhet të marrë përgjigje të qartë në të gjitha bashkitë, s’merr dot njeri për budalla

Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së, ka zhvilluar një takim elektoral në Kavajë për zgjedhjet vendore, ku ka bërë thirrje jo vetëm që të votohet kandidatin e PS-së, Redjan Krali, por shqiptarët në të gjitha bashkitë duhet ti japin një përgjigje të qartë ‘non- grata’-s.
Rama nënvizoi se Kavaja nuk duhet të kthehet më mbrapa që të jetë edhe një herë në dorë të atyre që e morën peng. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që në të gjitha bashkitë ‘non-grata’ të marrë një përgjigjie të qartë se “nuk merr më dot njeri për budalla”.
“Goxha burrë, 80 e ca vjeç del nëpër rrugë e merr nëpër gojë njerëzit. Kam parë ambasadoren, kam parë minister. Biseda të tilla i bëjnë ose ato që janë tape, ose ca që kanë dalë nga trutë, që marrin lagjen me shapka”- theksoi Rama.
Kreu i socialistëve komentoi edhe kryetarin e PL-së, Ilir Meta, duke e etiketuar si “Like Floriri”.
“Liken e kam merak shumë sepse e dini çfarë kam hequr për ta sjellë në rrugë të mbarë. Por mjaft tani. Duhet t’u thoni, Salike vazhdoni sepse ne nuk kemi kohë për këto punë”-theksoi Rama.
Kryeministri, ndër të tjera, ka apeluar sërish që qytetarët shqiptar të mos votojnë personat e padëshiruar nga SHBA, pasi, sipas tij, më 14 maj ndërkombëtarët do të numërojnë votat për të parë sesa shqiptarë nuk e kanë kuptuar shpalljen “non-grata” të Berishës.
“Ndërkombëtarët nuk do numërojnë votat e PS ditën e dielë. Nuk u intereson PS, as Redi e as Edi. Ata do të numërojnë votat që do marrë “non-grata”. Ka shqiptar që ende nuk e kuptojnë se kjo nuk është një çështje personale, por shumë më e thellë ndaj një individi që është kokrrizë rëre në oqean, por që ka qenë një person i gjithëpushtetshëm në Shqipëri dhe ka dhënë prova për t’u bërë i padëshirueshëm”- theksoi Rama.
Sipas tij, kandidati i PS Redjan Kralii është “shalqi me provë”, nuk është i rënë nga qielli, nuk është pa të meta, por është njeri që i ka ndenjur punës mbi kokë.
Rama u shpreh se kundërshtari i PS-së në Kavajë ka hyrë në garë për të mbrojtur hallet e dyshes Rama-Meta.
“Është një maskë e atyre të dyve dhe për turpin e tij, për turpin e familjes së tij, ia ka dhënë fytyrën për maskë dy njerëzve, të cilët sot janë turpi i Shqipërisë. Nuk janë turp se e them unë, sepse kam bërë shumë beteja, sidomos atë gërdallën e madhe, por s’i kam thënë turp i Shqipërisë, por sot e them këtë fjalë që nuk jam unë që e kam përcaktuar, por e përcakton si turp i Shqipërisë damka që i ka vënë në “lule të ballit” aleatët tanë më të mëdhenj”,- tha Rama.
Veliaj: “Kavaja nuk është xhaketa e varur e askujt, do ecë përpara me Edin dhe me Redin”
Në këtë takim përmbyllës të fushatës në Kavajë, ishte edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste të Qarkut te Tiranës, Erion Veliaj, ku së bashku me kryeministrin Rama, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë edhe në këtë mandat në krye të kësaj Bashkie, Redjan Kralin.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj tha se Kavaja ka pasur mbështetjen e Qeverisë dhe të Kryeministrit Rama në çdo projekt, në çdo ide, por mbi të gjitha në çdo ditë të vështirë, si ato të tërmetit që goditën edhe këtë qytet.
“Aty ku ka pas përçarje, kemi sjellë bashkim. Aty ku ka pas dhunë, kemi sjellë punë. Aty ku ka pas ndasi, aty ku kemi gjetur plagë, kemi shëruar dhe kemi ecur vetëm përpara me Edi Ramën dhe Redjan Kralin. Sot dua t’u them dy fjalë zemre: Edi Rama e do Kavajën. Edi Rama ka miratuar çdo projekt të Kavajës. Edi Rama ishte këtu me ne jo sot, por në ditët më të vështira të tërmetit, që të sigurohemi që janë 404 apartamente të reja. Edi Rama është siguruar që çdo ide që ka ardhur nga Kavaja të financohet që Kavaja të ecë vetëm përpara,” u shpreh Veliaj.
Ai tha gjithashtu se Kavaja nuk do kthehet më mbrapsht. “Dëgjoj ata të tjerët që thonë: Ne Kavajën e kemi në xhep. Thonë kështu për Kavajën, për Kamzën, për Shkodrën. Di t’ju them që Kavajën nuk e ka askush në xhep. Kavaja nuk është mish për top për të mbushur autobusët për Tiranë. Kavaja nuk është xhaketa e varur e askujt. Ka njerëz të ndershëm e punëtorë. Ndaj në këto 100 orë ju dua të gjithëve në gatshmëri, që Kavaja me Edin me Redin të ecin vetëm përpara. Në këto 100 orë ne duhet t’i themi çdo demokrati që partia më e rëndësishme është familja jote,” tha Erion Veliaj.
“Kur ne kishim nevojë, Edi Rama ishte këtu për ne, kurse Saliu me Ilirin ishin te Gjiri i Lalzit. Kur ne kishim nevojë të ndërtoheshin shtëpitë, Edi Rama ishte këtu me ne, Saliu me Ilirin non-grata dhe fuksi i sigurimit ishin te Gjiri i Lalzit. Kur ne kishim nevojë për vaksina Edi Rama erdhi këtu me ne dhe solli vaksinat, Saliu me Ilirin ishin tek Gjiri i Lalzit. Di t’ju them që të hënën Saliu dhe Iliri do vazhdojnë te Gjiri i i Lalzit por Edi dhe Redi do ta çojnë Kavajën përpara,” shtoi më tej Veliaj.
/rtsh.al/