E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncojmë grabitjen e ligjëruar të pronës

Jemi të indinjuar me disa shkrime dhe disa media që si para, edhe pas aktivitetit dhe protestës tonë për të kërkuar nga shteti pronën e trashëguar sipas kufijve të para vitit 1945, i dhanë ngjyra politike, karakter antishqiptar, pro-grek dhe nxitën vëllavrasjen. Dezinformim dhe turp! Para se të shkruajnë për Himarën dhe bregdetin Vlorë-Sarandë, këta njerëz të influencuar ose të komanduar nga dreqi e i biri,

duhet të dinë se ne kërkojmë atdheun dhe tokën tonë që e ka emrin Shqipëri. Ne jemi bregdetas shqiptarë dhe së paku nga Mesjeta kemi qenë ajka e atdhetarisë, porse tradita jonë patriotike është shumë e lashtë. Theksojmë se disa shkrime dhe disa rubrika televizive këtë veprimtari të shoqatës atdhetare-kulturore “Bregdeti”, që me mjete paqësore kërkon demokraci nëpërmjet ligjit dhe lufton për elementin më themelor të të drejtave të njeriut dhe për zbatimin e Kushtetutës, nga një veprimtari që ka interes puro kombëtar, këta gazetarë të papërgjegjshëm, duke e keqpërdorur median, po dezinformojnë opinionin publik. Kemi 17 vjet që kërkojmë këtë të drejtë themelore të njeriut që na mohohet dhe në emër të popullit patriot të Bregdetit, kemi të drejtën morale që për të gjithë ata që shtrembëruan realitetin, t’i kërkojmë që të lypin ndjesë publike, ashtu siç

reflektuan dhe bënë autokritikë disa komunistë pas përmbysjes së diktaturës. Kuvendi u mblodh në bazë të vendimit të Kryesisë së shoqatës, ku ishin të ftuar të gjithë bregdetasit, si dhe deputetët bregdetas dhe personalitete të sektorëve të ndryshëm me origjinë bregdetase. Ky nuk ishte kuvend partiak dhe nuk ka të bëjë me asnjë parti politike, por ishte një kuvend që ka të bëjë me shqetësimin e të gjithë bregdetasve autoktonë, për eliminimin e anarkisë së pronës, që prona t’iu kthehet pronarëve të ligjshëm, duke respektuar titujt e mirëfilltë të pronësisë, me

ligje që janë në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe me të drejtat e njeriut, për të mbyllur këtë burim të korrupsionit dhe për të evituar rrezikun e vetëgjyqësisë dhe vëllavrasjes. Kuvendi i VIII u mblodh për të analizuar gjendjen dhe detyrat e lëna në bazë të vendimeve të Kuvendit të VII, mbledhur po në Himarë, më 21 maj 2007.

Kuvendi konstatoi:

Në ecurinë e punës për kthimin e pronave të trashëguara, trungut familjar të pronarëve të ligjshëm, të grabitur me dhunë nga shteti i diktaturës komuniste, pengojnë politikanët, mafia e trojeve turistike dhe mafia e ndërtimit, që nuk duan të

humbasin përfitimet e paligjshme pas vitit 1991 në zonat turistike. Në qarkun e Vlorës shteti ligjor nuk është shtrirë akoma dhe në krahasim me vitin 2007,

situata është përkeqësuar. Ndërtimet pa leje nga persona të tretë janë shumëfishuar në krahasim me më parë. Në gjithë bregdetin Vlorë-Sarandë, ullinjtë dhe agrumet kanë pësuar ulje të ndjeshme, ato shkulen me buldozerë për të hapur sheshe ndërtimi.

Sipas Vjetarit Statistikor të Republikës së Shqipërisë për vitin 2007, i krahasuar me atë të vitit 1990, në zonën Vlorë-Sarandë rezultojnë 588.600 rrënjë ullinj më pak dhe 781.300 rrënjë agrume më pak, pa përmendur vreshtat dhe drufrutorët e tjerë. Tokat, ullishtat, vreshtat, agrumet etj., janë braktisur nga përfituesit jo pronarë, duke i kthyer ato në shkretëtirë. Shoqata “Bregdeti” nuk është thirrur në veprimtaritë vendimmarrëse, ndërkohë që si palë e interesuar në parlament thirren firmat ndërtuese. Mungon vullneti politik për zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës. Zyra e Regjistrimit të pasurive në qarkun e Vlorës, Komisionet për Kthimin e Pronave, Agjencia qendrore e Pronave, ku kryetarët ndryshohen çdo disa muaj, deri tani kanë funksionuar si zyra që pengojë pronarët, ku vendimet shiten e blihen, duke thelluar anarkinë e pronës.

Politikanët mashtrojnë dhe keqpërdorin institucionet ndërkombëtare, ata manipulojnë duke ndryshuar emrat e komisioneve, duke ndryshuar kryetarët e komisioneve dhe të Agjencisë, duke pranuar dorëheqjen e tyre vullnetare ose duke iu dhënë ndëshkime qesharake, por pa shpallur ‘nul’ aktet që janë nxjerrë haptas në shkelje të ligjit. Mënyrë tjetër mashtrimi për ndërkombëtarët është zhvilluar, duke paraqitur në media si zgjidhje, amendimet e ligjeve ekzistuese, kur thelbi i ligjit dhe i ndryshimeve

është që pronarët të sorollaten dhe përfituesit e paligjshëm të shtyjnë sa të jetë e mundur më shumë kohën, në mënyrë që kthimi fizik i pronës të paraqitet si i pamundur. Si pasojë e këtij manipulimi, institucionet ndërkombëtare, duke i besuar

gjërat ashtu siç i paraqesin politikanët, nuk i kanë vlerësuar drejt ankesat e shoqatës “Bregdeti”, madje po bëhen pjesa që financon grabitjen e zonës turistike nga pushtetarët. Kuvendi konstaton se në zbatim të ligjit mbi titujt e pronësisë, miratuar nga parlamenti në fillim të muajit korrik 2008, në mënyrë që edhe këtë radhë të mos favorizohen politikanët grabitës, qeveria duhet të evidentojë me vendim të veçantë

specifikën e zonës turistike, për të cilën edhe kryeministri është shprehur disa herë se është bërë pre e mafies politike dhe e mafies së ndërtimit.

1. Në bregdetin turistik Vlorë-Sarandë, tokat janë dhënë në pronësi, duke u përfituar padrejtësisht prej oligarkisë së pushtetarëve dhe në kundërshtim me ligjet e miratuara mbas vitit 1993. Të gjithë pronarët autoktonë (trashëgimtarët e tyre), pa përjashtim kërkojnë kthimin e pronave sipas të dhënave kadastrale të para vitit 1945 dhe për zonën turistike kompensim vetëm për pronat e tjetërsuara para vitit

1991 për ndërtime banimi dhe ato që janë shfrytëzuar dhe vazhdojnë të shfrytëzohen për qëllime të interesave publike. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga ata janë bërë milionerë duke përftuar tokat tona.

2. Në zonën nga Uji i Ftohtë e deri në Sarandë kanë qenë disa ish-ferma shtetërore (N. B.), dhe në zbatim të ligjeve në fuqi të kohës, këto toka nuk mund të ndaheshin me ligjin 7501(ligj që trajtonte tokat e kooperativave bujqësore) dhe nuk mund t’iu jepeshin në pronësi punonjësve të fermave, siç është vepruar nga Medin Xhelili e Tare Hamo etj., në bashkëpunim me disa kryepleq që kanë bërë biznes me vërtetimet e dhëna.

3. Nga Uji i Ftohtë e deri në Sarandë, qeveria me VKM nr. 88 të vitit 1993, e ka përfshirë brenda zonës së mbrojtur për zhvillimin e turizmit dhe si e tillë kjo tokë turistike nuk mund të ndahet me ligjin 7501, edhe në rastin e zbatimit korrekt të tij, por duhet t’iu kthehet të zotëve, pasi perspektiva e zonës është turizmi elitar dhe jo bujqësia.

4. Për këtë janë bërë ankimime në pushtetin vendor, në pushtetin qendror dhe në institucionet ndërkombëtare, por ato nuk janë dëgjuar dhe vlerësuar me seriozitet.

5. Kontrolli i Shtetit që në vitin 2001 e më pas ka konstatuar shkelje të rënda të ligjeve në fuqi në regjistrimet e bëra në ZRPP, por edhe pse janë konstatuar akte të paligjshme, nuk është zbatuar Kodi i Procedurës Administrative për shpalljen e tyre

“Nul juridik” dhe njoftimin e palëve. Sipas këtij Kodi, aktet e paligjshme, kur konstatohen, deklarohen ‘nul’ (juridikisht të paqena), nga organi shtetëror që i ka nxjerrë ose një organ epror. Për këto akte nuk mund të hapet proces gjyqësor nga vetë shteti që gjykata të vulosë këtë nulitet, pasi ai konsiderohet akt i paqenë.

Është përfituesi i paligjshëm ai që ose do të bindet dhe ta dorëzojë vetë pronën që për trashëgimi i takon një shtetasi tjetër, ose e ankon çështjen në gjykatë dhe gjykata merr vendim. Për sa më sipër, lidhur me rastin specifik për zonë turistike Vlorë-Sarandë (por edhe për zonat e tjera turistike, për të cilat nuk shprehemi, sepse janë jashtë juridiksionit që përcakton Statuti i shoqatës sonë), anulimi në ZRPP i regjistrimeve të pronave për personat e tretë me çdo firmë qoftë ai dokument apo akt pronësie, ai duhet të anulohet nga organet e shtetit dhe po ashtu të bëhet

regjistrimi i pronës përkatëse, sipas kadastrës dhe kufijve të vitit 1945. Nuk kuptojmë, përse duhet të ftojmë dorëzimin vullnetar të pronës nga grabitësi dhe të presim 3 muaj, pastaj qeveria të fillojë të veprojë. Qeveria duhet të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën dhe për zonën turistike nuk duhen sorollatur më tej pronarët nëpër gjyqe.

6. Zgjidhja me komisione vendore me bazë fshati e bërë në të gjithë zonën veriore dhe verilindore të Shqipërisë, që në vitin 1992 (por zyrtarisht e raportuar si zbatim i ligjit 7501), është e ngjashme me propozimin tonë dhe kjo nuk ka shqetësuar askënd. Propozimi ynë, që është transparent dhe në përputhje me detyrimet kushtetuese, i bazuar në kuptimin juridik dhe me kërkesat e fundit të kryeministrit Berisha, që askush të mos grabisë trojet turistike në bregdet, është shumë i përshtatshëm të zbatohet në zonën turistike.

Në mbyllje, falënderojmë kryetarin e Bashkisë Himarë, kryetarin e komunës Lukovë dhe kryepleqtë e fshatrave që na mbështetën. Kërkojmë nga deputeti

Spartak Ngjela, duke lënë në një anë ndonjë lajthitje të tij, që të analizojë drejtë shqetësimet tona legjitime dhe kërkojmë nga ai të organizojë lobingun për këtë

çështje me rëndësi kombëtare, që afërmendsh duhet të ishte detyra e parë e zgjidhur që në vitin 1991 mbas përmbysjes së sistemit të diktaturës. Shoqata AK “Bregdeti” nuk merret me politikë, anëtarët e saj thjesht kërkojmë të drejtën e pronave të trashëguara dhe për arritjen e këtij qëllimi kemi qenë e jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha strukturat si të pushtetit qendror, të pushtetit vendor dhe legjislativ, por përkrahjen deri sot e kemi gjetur vetëm nga pushteti vendor.

*Deklaratë e shoqatës atdhetare-kulturore, “Bregdeti”

Titulli është redaksional

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›